Kurti: Java e Albanologjisë kujtesë për identitetin dhe kulturën shqiptare
Foto: Laura Hasani

Kurti: Java e Albanologjisë kujtesë për identitetin dhe kulturën shqiptare

Aktuale May 18, 2026 - 22:58

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se “Java e Albanologjisë” nuk është vetëm një kalendar akademik, por një kujtesë e përvitshme se identiteti kulturor, gjuhësor dhe historik shqiptar kërkon studim të vazhdueshëm, dialog kritik dhe vizion për të ardhmen.

Në një postim në Facebook, Kurti ka theksuar se “Java e Albanologjisë” përfaqëson rëndësinë e ruajtjes dhe zhvillimit të identitetit kombëtar përmes studimit shkencor dhe akademik.

Ai ka cituar akademikun tashmë të ndjerë Rexhep Qosjen, i cili ka shkruar se “gjuha është biografia shpirtërore e një populli”, duke e lidhur këtë me rëndësinë e albanologjisë në kohët e sotme.

Sipas Kurtit, temat bosht të këtij viti tregojnë se albanologjia nuk është një disiplinë e mbyllur në të kaluarën, por një fushë që përballet drejtpërdrejt me sfidat dhe transformimet e kohës.

Ai ka shtuar se temat që trajtohen, nga letërsia deri te historiografia, folklori dhe antropologjia e ushqimit, dëshmojnë marrëdhënien mes trashëgimisë dhe ndryshimit në shoqërinë shqiptare.