Ardian Gjini nga Malisheva: Qytetarët po bashkohen rreth vizionit tonë qeverisës
Foto: Laura Hasani

Ardian Gjini nga Malisheva: Qytetarët po bashkohen rreth vizionit tonë qeverisës

Aktuale May 20, 2026 - 18:57

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryeministër, Ardian Gjini, ka qëndruar sot në Malishevë, ku zhvilloi disa takime të ndara me qytetarë, biznese dhe fermerë, duke prezantuar planin e Aleancës për zhvillimin ekonomik dhe mbështetjen e sektorit të bujqësisë.

Përmes një postimi, Gjini tha se Malisheva e priti me një energji të jashtëzakonshme dhe me gatishmëri për të diskutuar rreth sfidave dhe perspektivës zhvillimore të vendit.

“Në disa takime të ndara, takuam qytetarë, biznese e fermerë, e me të gjithë bashkë folëm për planin tonë konkret për zhvillimin ekonomik dhe përkrahjen e bujqësisë”, u shpreh ai.

Sipas Gjinit, mbështetja dhe besimi që mori sot në Malishevë janë sinjal i qartë se qytetarët po bashkohen rreth Aleancës dhe programit të saj qeverisës.

“Besimi dhe mbështetja që gjetëm sot në Malishevë, në këtë trevë me histori të lavdishme, është tregues se qytetarët po bashkohen me vendosmëri rreth Aleancës dhe vizionit tonë qeverisës, si e vetmja rrugë për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm dhe një udhëheqje të fortë për Kosovën”, theksoi Gjini.