Rama në Korenë e Jugut: Shqipëria në një rrugë të vështirë, por drejt BE-së
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Konferencën Aziatike të Lidershipit në Korenë e Jugut, u shpreh se Koreja është një shembull i fuqishëm se historia dhe kultura kanë rëndësi, por se fatin e kombeve nuk e përcakton vetëm e kaluara, por edhe zgjedhjet që bëjnë ata gjatë rrugës.
“Herën e parë kam ardhur këtu më shumë se dy dekada më parë si kryetar i bashkisë së Tiranës. Ajo që pashë atëherë ishte e jashtëzakonshme, por ajo që shoh sot është diçka thellësisht prekëse. Koreja është dëshmi se historia ka rëndësi, por e vetme nuk vendos fatin e një kombi”, tha Rama.
Kryeministri bëri një krahasim midis historisë së Koresë dhe asaj të Shqipërisë, duke theksuar se vendi ynë, ndonëse për një periudhë ishte si “Koreja e Veriut e Europës”, sot po ecën në një rrugë të ndryshme, sikurse ndërtimi i institucioneve, modernizimi demokratik dhe progresi drejt Bashkimit Europian.
“Ne po tregojmë se institucionet demokratike mund të ndërtohen edhe kur historia duket e pamundur dhe se një vend dikur i izoluar mund të përkufizohet nga aspiratat”, shtoi Rama.
Ai gjithashtu vuri theksin tek rëndësia e bashkëpunimit dhe pragmatizmit në zhvillimin kombëtar.
“Koreja dhe vendet e tjera të Azisë Juglindore tregojnë se bashkëpunimi është më i fuqishëm sesa përballja, dhe pragmatizmi sfidon ideologjinë. Edhe Kina më vonë gjeti vendin e saj në këtë bashkëbisedim, si pjesë e një arkitekture komplekse, pa u përkulur ndaj peshës së historisë”, tha kryeministri.
Më tej, Rama foli edhe për përvojën e tij personale dhe mësimet që ka nxjerrë nga udhëtimet e tij në Azi.
“Lidershipi ka shumë më pak të bëjë me sigurinë e përgjigjeve të qarta, dhe shumë më tepër me guximin për të ecur përpara me dije të papërsosur, për të pranuar dyshimin dhe për të gjetur kurajën për të vepruar“, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se Shqipëria mund të marrë shembuj frymëzues nga vendet aziatike në transformimin ekonomik dhe shoqëror.
“Është privilegj të jesh këtu, të mësosh nga Koreja dhe të kuptosh se lidershipi nuk ka të bëjë me qëndrimin mbi të tjerët, por me hyrjen në arenë, me kurajë dhe imagjinatë për të ndërtuar ura.”, deklaroi Rama.
Në përfundim, Rama nënvizoi se vendet mund të shndërrojnë sfidat në mundësi dhe se përvoja e Koresë tregon se gjithçka është e mundur.
“Nëse Koreja mundi ta bëjë, askush nuk ka të drejtë të thotë se nuk mund të bëhet, qoftë në nivel kolektiv apo individual. Ndihuni të bekuar dhe thjesht bëjeni”, tha ai.