Musliu për ngjarjen e fundit në Skenderaj: Qëllimi i Kurtit atë ditë ka qenë me nxjerr të lidhur Lushtakun
Kandidatja për deputete nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, ka qenë e ashpër ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me ngjarjet në Skenderaj, pas vendosjes së forcave policore atje.
Musliu ka thënë se pozicionimi i njësive speciale atë natë në disa pika të qytetit, është skenar i Kurtit për të treguar forcën ndaj Skenderajt dhe Sami Lushtakut.
Ajo ka thënë se qëllimi i Kurtit ka qenë që ta nxjerr të lidhur Lushtakun, për ta paraqitur atë më pastaj si fitore para përkrahësve të tij.
“Qëllimi i Kurtit atë ditë ka qenë me nxjerr të lidhur Sami Lushtakun në mënyrë të jashtëligjshme, me bërë spektakël, me nxjerr para mediave dhe me ua gjujt militantave të tij përpara me gjuhën që ‘ja unë e lidha Sami Lushtakun”, ka thënë Musliu në Klan Kosova.
Tutje ish-deputetja e PDK-së shtoi se ishte e zhgënjyer nga reagimi i policisë dhe se nuk kishte ditur për praninë e mediave në vendngjarje.
“Ky moment për mua ka qenë zhgënjyes me institucionin në këtë rast dhe kjo telefonatë ka zbardhur shumë anomali që s’kisha desht tash me i verifikuar, pa dashje, nuk ka qenë qëllimi im me nxjerr këtë joseriozitet të Policisë së Kosovës. Asnjëherë s’kam dasht me bë politikë me institucionet e sigurisë, s’kisha dasht me dëgju një komunikim të tillë”, tha Musliu.
Ajo vazhdoi duke thënë se atë natë kishte shkuar në Skenderaj nga Prishtina rreth orës 1:00 pas mesnate.
“Isha në shtëpi, dhe më vjen një mesazh një fotografi dhe më thotë një qytetar, ‘hyn lexoj portalet’, dhe hyra në media dhe i pashë. Dhe kam shku prej Prishtinës në Skenderaj. As s’e kam ditë që ka media atje fare. Kam shku atje, në momentin e parë, ka ardhur një makinë e Policisë dhe është ndalur para turmës”, tha më tej Musliu.
Në anën tjetër Musliu tha se deklarata e Gërvallës, e bërë në një intervistë televizive gjatë mbrëmjes së sotme, “e shpërfaq më së miri kush na ka përfaqësuar në tapetin ndërkombëtar” dhe theksoi se tregon gjendjen ku ka katandisur vendi.
Ish-deputetja e PDK-së tha më tej se “nuk ia vlen të merresh me Gërvallën, të cilën e falënderon Daçiqi në OKB për kontributin e saj në Gjykatën e Hagës”, teksa përmendi edhe shprehjen “prej Skenderit del beteri”, duke shtuar se “është mëkat shumë i madh” që ajo është vajza e atdhetarit të madh, Jusuf Gërvallës.
“Kjo e shpërfaq më së miri kush na ka përfaqësu neve në tapetin ndërkombëtar, edhe kjo tregon se deri ku është katandis ky vend. S’ia vlen të merresh me Donika Gërvallen të cilën e falënderon Daçiqi në OKB për kontributin që e ka dhënë për Gjykatën Speciale. Nuk kanë thënë kot që prej ‘Skenderi del beteri’, është mëkat shumë i madh që njihet si vajza e Jusuf Gërvalles”, tha Ganimete Musliu.