Osmani: E kam mbrojtur dhe arsyetuar qeverinë e Kosovës ndërkombëtarisht
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se është e pavërtetë të thuhet se ajo ka dëmtuar ndërkombëtarisht qeverinë e Kosovës, duke theksuar se sipas saj realiteti është krejt i kundërt.
Në një deklarim publik, ajo tha se shumica e angazhimit të saj politik në arenën ndërkombëtare ka qenë në funksion të mbrojtjes dhe promovimit të interesit të Kosovës, përfshirë edhe raste kur nuk ka pasur pajtim të plotë institucional.
“Shpifje e rëndë të thuhet se unë e kam goditur ndërkombëtarisht qeverinë e Kosovës, por është e kundërta. Mbi 80% të aktivitetit tim politik ndërkombëtarisht më ka shkuar duke e mbrojtur qeverinë e Kosovës dhe duke e arsyetuar edhe në raste kur nuk kemi qenë dakord”, u shpreh Osmani në rtv21.
Ajo shtoi se kjo qasje, sipas saj, ka qenë e qëllimshme për të mbrojtur interesin shtetëror të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Osmani tha se qytetarët e kanë parë qartë punën e institucioneve në pesë vitet e fundit dhe përballjen me Serbinë në proceset ndërkombëtare.
“Qytetarët e Kosovës e kanë parë si jemi përballur me Serbinë. Ne kemi hapur dyer që kanë qenë të mbyllura për Kosovën dhe kemi dalë ballëhapur para qytetarëve, sepse oferta jonë është e qartë: ta çojmë vendin përpara, jo ta përçajmë”, tha ajo.
Ajo theksoi se, sipas saj, armiku i vetëm për Kosovën mbetet Serbia dhe jo faktorët e brendshëm.