Lushtaku përkujton dëshmorët Arben Haliti dhe Xhemshir Islami: Sakrifica e tyre themel i lirisë së Kosovës
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku ka nderuar sot dëshmorët Arben Haliti dhe Xhemshir Islami, duke kujtuar sakrificën e tyre për lirinë e Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Lushtaku ka bërë të ditur se bashkë me komandantin e Brigadës 112 “Arben Haliti”, Jetullah Geci, kanë përkujtuar dëshmorin e parë të kësaj brigade.
“Sot, bashkë me Komandantin e Brigadës 112 “Arben Haliti”, Jetullah Geci, nderuam me respekt e krenari sakrificën e dëshmorit të parë të kësaj brigade, Arben Haliti, emrin e të cilit e mbante me nder Brigada 112 e Zonës Operative të Drenicës”, ka shkruar Lushtaku.
Ai ka vlerësuar Halitin si një nga luftëtarët e parë që iu përgjigj thirrjes për liri.
“Arbeni ishte ndër luftëtarët e parë që iu përgjigj thirrjes së atdheut në ditët më të vështira për vendin, duke u bërë simbol i guximit dhe vendosmërisë për lirinë e Kosovës. Luftoi me trimëri në luftime të drejtpërdrejta deri në rënien e tij më 21 maj 1998, duke dhënë jetën për idealin më të shenjtë – lirinë e Kosovës. Emri dhe vepra e Arben Halitit mbeten përjetësisht frymëzim për brezat që vijnë”, ka shkruar ai.
Lushtaku ka kujtuar edhe dëshmorin Xhemshir Islami, i cili ra në të njëjtën ditë gjatë luftimeve në Koshare.
“Me respekt të veçantë kujtuam sot edhe dëshmorin Xhemshir Islami nga Mikushnica, i cili ra po në këtë ditë, gjatë luftimeve heroike në Koshare, duke dhënë jetën për çlirimin e Kosovës”, thuhet në postim.
Ai ka theksuar se sakrifica e dëshmorëve mbetet themeli i lirisë së Kosovës. “Sakrifica e dëshmorëve dhe martirëve është themeli mbi të cilin qëndron liria jonë sot. Lavdi e përjetshme!”, shkroi Lushatku.