AKSP vizitë studimore në Poloni
Një delegacion i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ka marrë pjesë nga 18 deri më 22 maj 2026 në një mobilitet të stafit në Universitetin e Zjarrfikjes në Varshavë të Polonisë, aktivitet i realizuar në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional përmes programit Erasmus+ të Bashkimit Evropian.
Delegacioni përbëhej nga Anita Zenuni, ushtruese e detyrës së prodekanes së Fakultetit të Sigurisë Publike (FSP) në AKSP, Skender Agaj, zyrtar i lartë për marrëdhënie shumëpalëshe, Halil Asllani, ligjërues i rregullt në FSP dhe Valdet Surdulli, zyrtar i lartë i Divizionit për Përkrahje Studentore.
Sipas njoftimit, ekipi nga Kosova është pritur dhe shoqëruar nga Olimpia Mnich, koordinatore e Universitetit për programin Erasmus+, dhe major dr. Szymon Ptak, zëvendëskoordinator.
Gjatë qëndrimit në Poloni, përfaqësuesit e AKSP-së kanë prezantuar “historikun, gjendjen aktuale, të arriturat dhe perspektivën e AKSP-së”, ndërsa kanë ndjekur edhe prezantime të institucioneve nga Polonia, Ukraina dhe Uzbekistani.
Delegacioni ka vizituar Njësinë e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në kuadër të Universitetit të Zjarrfikjes, Shpëtimin Mjekësor Emergjent, studion për komunikim me publikun në raste krizash emergjente, laboratorin e inxhinierisë elektrike dhe laboratorin e pajisjeve të shpëtimit.
Po ashtu, ata kanë zhvilluar vizitë edhe në Qendrën e Trajnimit për Shpëtim, Logjistikë dhe Bazë Zhvillimi në Nowy Dwór Mazowiecki, ku mbahen ushtrimet dhe trajnimet praktike të Universitetit të Zjarrfikjes.
“Në të gjitha këto takime dhe vizita, zyrtarët nga Akademia i njoftuan partnerët polakë në lidhje me sistemin e zjarrfikjes e shpëtimit në Kosovë dhe trajnimit e arsimit në këtë fushë, duke potencuar marrjen e përvojave dhe ekspertizave polake”, thuhet në njoftim.
Sipas AKSP-së, partnerët polakë janë shprehur të gatshëm të ndajnë përvojat dhe ekspertizën e tyre në rast të krijimit të mundësive për zhvillim dhe investime në këtë sektor në Kosovë.