Rama: Shqipëria synon elitën e turizmit global, mbrojmë investimet strategjike dhe partnerët ndërkombëtarë

Rama: Shqipëria synon elitën e turizmit global, mbrojmë investimet strategjike dhe partnerët ndërkombëtarë

Aktuale June 01, 2026 - 10:30

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në vijim të incidentit të regjistruar të shtunën, më 30 maj, në Zvërnec, ku një protestues kundër projektit zhvillimor në zonë u tërhoq zvarrë nga forcat e sigurisë private.

Ndërsa ngjarja ka ngjallur protesta, kreu i Qeverisë thekson se Shqipëria po kalon një fazë transformimi të thellë në sektorin e turizmit, duke u pozicionuar si një destinacion gjithnjë e më i kërkuar në tregun ndërkombëtar dhe duke synuar hyrjen në elitën globale të këtij sektori.

“Nuk është më Shqipëria që nuk afrohej asnjë investitor, por është Shqipëria e 12 milionë turistëve. Është Shqipëria që duhet të hyjë tani në elitën e turizmit global me investime të cilat sjellin konsumatorë të nivelit të lartë që i lënë paratë këtu”, deklaroi Rama.

Duke iu referuar projektit në Zvërnec, kryeministri e cilësoi atë si një investim strategjik me vlerë të lartë ekonomike, i cili sipas tij është rezultat i bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë seriozë dhe të verifikuar.

“Një vend që nuk ka frikë nga një projekt i jashtëzakonshëm si ky, ku partnerë të jashtëzakonshëm janë bërë bashkë për të investuar 4 miliardë euro, jo si ndërtues që ndërtojnë, shesin dhe ikin, por si pronarë të terrenit të cilin e kanë blerë me para të mbikëqyrura në mënyrë strikte nga agjencia jonë kundër pastrimit të parave dhe partnerët ndërkombëtarë që bashkëpunojnë me atë agjenci”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se investimi nuk ka ardhur nga aktorë të rastësishëm, por nga partnerë të rëndësishëm ndërkombëtarë, duke përmendur Katarin si një nga vendet e përfshira në projekt.

“Dhe jo nga Izraeli, por nga Katari, që nuk besoj se mund të konsiderohet nga ata që e konsiderojnë veten myslimanë, por që vetëm Allah e Kuran nuk kanë”, deklaroi kryeministri, duke përdorur një retorikë të fortë për të nënvizuar karakterin ndërkombëtar të investimit. /rtsh