Qalaj: Drejtësia për fëmijët duhet të jetë rehabilituese, jo ndëshkuese

Qalaj: Drejtësia për fëmijët duhet të jetë rehabilituese, jo ndëshkuese

Aktuale June 01, 2026 - 14:07

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, ka marrë pjesë në hapjen zyrtare të fushatës “Drejtësi që sheh fëmijën”, e cila është lansuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Në këtë aktivitet, Qalaj ka theksuar angazhimin institucional për rritjen e përkushtimit në avancimin e drejtësisë për të mitur, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe parimet e shtetit të së drejtës, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Ai ka theksuar se është obligim institucional që përmes instrumenteve juridike dhe mekanizmave përkatës të krijohen mundësi reale për rehabilitim, edukim dhe riintegrim të të miturve që bien ndesh me ligjin.

Sipas tij, një sistem i drejtësisë që orienton veprimet drejt rehabilitimit të fëmijëve dhe jo vetëm ndëshkimit, tregon pjekuri institucionale dhe vizion afatgjatë për sigurinë dhe mirëqenien shoqërore.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Qalaj ka ritheksuar përkushtimin institucional për zbatimin profesional të drejtësisë për të mitur, në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare.

Fushata “Drejtësi që sheh fëmijën” është organizuar nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe organizata “Terre des hommes” në Kosovë. /rtk