AGK-ja kërkon nga Costa që në takim me Kurtin të diskutohet për çështjen e lirisë së medias
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ia ka drejtuar një letër publike presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, një ditë para ardhjes së tij në Prishtinë, shkruan Zeri.info.
Përmes kësaj letre, AGK-ja i ka kërkuar Costas që në takimin që do ta mbajë me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, të kihet parasysh që të diskutohet edhe nevoja e respektimit të lirisë së mediave në vendin tonë.
“AGK-ja kërkon nga zoti Costa që, në takimin me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, të diskutojë nevojën për respektimin e lirisë së medias dhe të shprehjes nga ana e Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës. Kosova ka shënuar një rënie dramatike të lirisë së medias në vitet e fundit, e dokumentuar nga raporte ndërkombëtare, duke përfshirë edhe vizitën në mars të Platformës për Sigurinë e Gazetarëve të Këshillit të Evropës. Qeveria e zotit Kurti dhe partia e tij politike, Vetëvendosje, janë angazhuar në fushata të vazhdueshme denigrimi kundër gazetarëve dhe punonjësve të mediave për shkak të punës së tyre. Kjo e ka bërë klimën e të bërit gazetari në Kosovë më të rëndën në vitet e fundit. Institucione që do të duhej të ishin të pavarura, si Komisioni i Pavarur i Mediave dhe Radio Televizioni i Kosovës, janë vënë nën ndikim të drejtpërdrejtë politik nga Qeveria, nëpërmjet emërimit të bordeve në procese të komprometuara”, thuhet ndër të tjerash në kërkesën e AGK-së.
Sipas AGK-së, Costa duhet t’ia rikujtojë Kurtit se respektimi i lirisë së medias është kyçe në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, të cilin e aspiron shumica dërrmuese e popullit të Kosovës.
Letra e plotë e AGK-së drejtuar Costas:
Kërkesë publike për Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, që përfaqëson mbi 700 gazetarë në Kosovë, i drejtohet publikisht me këtë kërkesë Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, me rastin e vizitës së tij në Kosovë.
AGK-ja kërkon nga zoti Costa që, në takimin me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, të diskutojë nevojën për respektimin e lirisë së medias dhe të shprehjes nga ana e Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës.
Kosova ka shënuar një rënie dramatike të lirisë së medias në vitet e fundit, e dokumentuar nga raporte ndërkombëtare, duke përfshirë edhe vizitën në mars të Platformës për Sigurinë e Gazetarëve të Këshillit të Evropës.
Qeveria e zotit Kurti dhe partia e tij politike, Vetëvendosje, janë angazhuar në fushata të vazhdueshme denigrimi kundër gazetarëve dhe punonjësve të mediave për shkak të punës së tyre. Kjo e ka bërë klimën e të bërit gazetari në Kosovë më të rëndën në vitet e fundit.
Institucione që do të duhej të ishin të pavarura, si Komisioni i Pavarur i Mediave dhe Radio Televizioni i Kosovës, janë vënë nën ndikim të drejtpërdrejtë politik nga Qeveria, nëpërmjet emërimit të bordeve në procese të komprometuara.
AGK-ja shpreson që zoti Costa do t’ia rikujtojë kryeministrit Kurti se respektimi i lirisë së medias është kyç në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, të cilin e aspiron shumica dërrmuese e popullit të Kosovës.
Gazetarët dhe mediat në Kosovë vazhdojnë të bëjnë një punë jetike në ofrimin e informacionit në interes të publikut, duke luajtur rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e një vlere themelore të demokracisë evropiane. /Zëri