Costa: E ardhmja e Kosovës është në BE, por reformat dhe Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohen
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka deklaruar se Bashkimi Evropian e sheh të ardhmen e Kosovës brenda familjes evropiane, por ka theksuar se avancimi i procesit të integrimit varet nga zbatimi i reformave dhe përmbushja e obligimeve të marra nga Prishtina.
Gjatë një konference për media në Prishtinë, Costa tha se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE mbetet pjesë e një procesi që kërkon kohë dhe rezultate konkrete.
“Secili proces e ka kohën e vet. Jemi pajtuar për agjendën e reformave dhe jemi pajtuar se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian është shumë i rëndësishëm. Është thelbësore që Kosova, hap pas hapi, të japë rezultatet për të cilat jemi pajtuar”, deklaroi ai.
Costa tha se beson në perspektivën evropiane të Kosovës dhe në mbështetjen e shteteve anëtare për këtë proces.
“Besimi im është se në fund të procesit nuk do të kemi kurrfarë problemi nga Bashkimi Evropian. Ekziston një konsensus i gjerë ndërkombëtar në lidhje me anëtarësimin në BE”, u shpreh ai.
Presidenti i Këshillit Evropian nënvizoi se zgjerimi i BE-së mbetet një investim strategjik për paqen dhe stabilitetin në kontinent, duke rikujtuar mbështetjen financiare të deritanishme për Kosovën.

“Deri tani kemi investuar 3.7 miliardë euro në arsim, teknologji dhe energji. Zgjerimi është investim në paqe”, tha Costa.
Ai përsëriti se partneriteti me Bashkimin Evropian shoqërohet me përgjegjësi konkrete nga institucionet e Kosovës.
“BE-ja mund ta mbështesë Kosovën, por nuk mund t’ia kryejë detyrat e saj. Kosova ka nevojë për institucione të forta dhe të afta për të realizuar reformat dhe për të shfrytëzuar mundësitë që ofron Bashkimi Evropian”, deklaroi ai.
Costa kërkoi gjithashtu përparim në dialogun me Serbinë dhe zbatim të plotë të marrëveshjeve të arritura, përfshirë Marrëveshja e Ohrit.
“Besojmë që e ardhmja e Kosovës është në BE. Në kohë të pasigurive globale, qëndrueshmëria ekonomike nuk është vetëm një mundësi, por një nevojë dhe domosdoshmëri për Evropën”, tha Costa.
