Haxhiu nga Samiti në Tivat: Kosova meriton pyetësorin dhe statusin e vendit kandidat
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar nga Tivati i Malit të Zi, ku po mbahet Samiti BE–Ballkan Perëndimor, se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe se vendi pret trajtim të drejtë dhe të barabartë në procesin e integrimit.
“Kosova e ka të ardhmen në Bashkimin Evropian. Një BE më e madhe dhe më e bashkuar është përgjigjja më e fortë ndaj atyre që duan të krijojnë paqëndrueshmëri në Evropë”, tha Haxhiu.
Ajo theksoi se Kosova ka ndërmarrë reforma të rëndësishme dhe po punon për avancimin e agjendës së saj evropiane.
“Kosova kërkon trajtim të drejtë dhe të barabartë gjatë gjithë këtij procesi. Ne kemi ndërmarrë reforma të rëndësishme dhe po punojmë për të ardhmen tonë evropiane”, u shpreh ajo.
Haxhiu tha se nga samiti pret diskutime frytshme dhe rezultate konkrete, duke përsëritur kërkesën që Kosovës t’i dërgohet pyetësori i Komisioni Evropian dhe t’i jepet statusi i vendit kandidat.
“Kosova meriton pyetësorin dhe statusin e vendit kandidat. Besoj se integrimi në BE nuk është vetëm një proces teknik, por ka të bëjë me paqen dhe demokracinë”, deklaroi Haxhiu. /Zëri