“Memoriali përkujtimor Adem Jashari”, Rama: Zëri i komandantit do të kumbojë në zemër të Kosovës

“Memoriali përkujtimor Adem Jashari”, Rama: Zëri i komandantit do të kumbojë në zemër të Kosovës

Aktuale June 08, 2026 - 13:24

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka bërë të ditur se janë shpallur projektet fituese për “Memorialin përkujtimor Adem Jashari”.

Përmes një postimi në Facebook, Rama thotë se koncepti i vendit të parë, i përzgjedhur nga komisioni profesional vlerësues, do të marrë jetë në Prishtinë, teksa thekson se ky projekt bartë me vete peshën e jashtëzakonshme kombëtare, historike dhe emocionale që përfaqëson figura e Komandantit Legjendar dhe familja historike Jashari.

“Memoriali ‘Zâni i Lirisë’, koncepti fitues për memorialin përkujtimor ‘Adem Jashari’ nuk është thjesht një monument. Ai është jehona e sakrificës së familjes Jashari dhe e të gjithë dëshmorëve që zgjodhën lirinë mbi jetën. Është vala e zërit që sfidoi frikën, pushtimin dhe vdekjen, për t’i dhënë Kosovës të drejtën të jetojë e lirë”, shkroi i pari i Prishtinës.

“I frymëzuar nga fjalët e pavdekshme të Adem Jasharit. ‘Besa besë, vetëm një vdekje se tjetër s’ka në këtë jetë. Edhe një fjalë e mirë’. Ky memorial e shndërron zërin e tij në një simbol të përjetshëm të lirisë, që do të jehojë në kohë dhe në hapësirë. Sepse ka zëra që nuk shuhen kurrë. Ata jetojnë në kujtesën e një kombi dhe në zemrën e një shteti të lirë”.

Pos të tjerash, Rama tha se në zemër të Kosovës do të kumbojë përgjithmonë zëri i komandantit legjendar, Adem Jashari.