KPM-ja shqipton edhe pesë vërejtje ndaj medieve
Në mbledhjen e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), të mbajtur të mërkurën, u shqiptuan pesë vërejtje ndaj medieve.
Në këtë mbledhje, u shqyrtuan rastet e shkeljeve të evidentuara ex-officio nga KPM gjatë monitorimit të mediave dhe një rasti si shqyrtim i ankesës së një pale lidhur me Zgjedhjet e Parakohshme 2026, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Shkeljet në katër rastet ex-officio, që u prezantuan nga ushtruesi i detyrës së kryesheft ekzekutiv të KPM-së, Niman Racaj, kishin të bënin me transmetimin e prononcimimeve të kandidatëve, të cilët sipas tij ndalohen me rregullore.
Sipas tij, shkeljet kanë të bëjnë me nenin 14, paragrafin 4 të Rregullores për Obligimet e Ofruesve të Shërbimeve Mediale gjatë Fushatës së Zgjedhjeve. Bëhet fjalë për TV Syri, TëVë1, Kanal 10 dhe Klan Kosova.
Ndërkaq, rasti tjetër, që ka të bëjë me ankesë nga një palë, është në lidhje me një emision të TV Dukagjinit, e që ka të bëjë me shkelje të Kodit të Etikës.
Për të gjitha këto raste, KPM mori vendim që t’iu shqiptohej masa sanksionuese “vërejte”, dhe atë të gjitha me nga pesë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. /BetimipërDrejtësi