Rama: S’ka shitje të Sazanit apo projekt të miratuar në Zvërnec, Shqipëria nuk i frikësohet ëndrrave të mëdha
Kryeministri Edi Rama reagoi sërish sot në një postim në rrjetet sociale lidhur me disa fakte sipas tij ose një “një pasqyrë për të gjithë përgojuesit e shtetit shqiptar” lidhur me çështjen e investimeve në ishullin e Sazanit dhe Zvërnecit.
Rama theksoi se “Ishulli i Sazanit është pronë shtetërore, e cila nuk është menduar (as kërkuar) kurrë për shitje”.
“Forma e vendosjes në dispozicion të kësaj toke shtetërore për ta kthyer në një destinacion turistik të nivelit më të lartë, është menduar nëpërmjet pjesëmarrjes së shtetit në investim. Bazuar në një proces të detajuar negociatash, shteti do të marrë kuota si palë e përfshirë, ndërsa ishulli do të mbetet gjithnjë pronë e shtetit shqiptar”, tha Rama.
Kreu i Ekzekutivit duke iu referuar çështjes së Zvërnecit, pohoi se “interesimi ka ardhur zyrtarisht në vitin 2024 kur investitorët kanë paraqitur një masterplan pranë Këshilli Kombëtar të Territorit, i cili është bërë edhe publik në emisionin Opinion nga njëri prej arkitektëve të kompanisë”.
Rama nënvizoi se “së bashku ne do ta bëjmë Shqipërinë evropiane princeshë të turizmit mesdhetar dhe do t’u tregojmë edhe të gjithë atyre që e përgojuan si s’ka më keq shtetin tonë, se Shqipëria e ka shumë seriozisht transformimin e saj epokal”.