Spitali i Përgjithshëm në Pejë njofton për 31 lindje dhe mijëra shërbime shëndetësore brenda një jave
Foto: Laura Hasani

Spitali i Përgjithshëm në Pejë njofton për 31 lindje dhe mijëra shërbime shëndetësore brenda një jave

Aktuale June 15, 2026 - 10:53

Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka publikuar të dhënat javore të punës, duke bërë të ditur se gjatë shtatë ditëve të fundit janë realizuar mijëra shërbime mjekësore në departamente të ndryshme.

Sipas njoftimit, në këtë periudhë janë regjistruar 31 lindje, prej të cilave 18 foshnja meshkuj dhe 13 femra, duke sjellë gëzim për dhjetëra familje.

Në total, ekipi mjekësor ka realizuar 2.841 vizita specialistike, ndërsa janë pranuar 265 pacientë të rinj për trajtim spitalor. Mesatarisht, 175 pacientë kanë marrë trajtim ditor në këtë institucion.

Gjatë javës janë kryer gjithsej 16.479 analiza laboratorike për 1.289 pacientë, si dhe 65 ndërhyrje kirurgjike të suksesshme. Në Repartin e Dializës janë realizuar 225 trajtime.

Sa i përket shërbimeve diagnostike, janë kryer 636 rëntgen, 271 ultrazëra, 91 rezonanca magnetike (MRI), 29 ehokardiografi, 15 ergometri, 17 gastroskopi dhe 12 kolonoskopi.

Po ashtu, 200 pacientë kanë marrë trajtime fiziatrike, me qëllim rikthimin e tyre në aktivitetin e përditshëm.

Nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë është bërë e ditur se stafi mjekësor vazhdon të ofrojë shërbime shëndetësore pa ndërprerje, 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë, me përkushtim të plotë ndaj pacientëve.