Zyrtari i Komisionit Evropian: Kosova duhet t’i përshpejtojë reformat, mund t’i përfitojë deri në 880 milionë euro
Foto: Laura Hasani

Zyrtari i Komisionit Evropian: Kosova duhet t’i përshpejtojë reformat, mund t’i përfitojë deri në 880 milionë euro

Aktuale June 17, 2026 - 10:39

Udhëheqësi i Njësisë në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore të Komisionit Evropian, Jiri Plecity, ka vlerësuar se Kosova ishte ndër përfitueset e para në Ballkanin Perëndimor që përgatiti një agjendë reformuese të vlerësuar pozitivisht nga Brukseli, por ka kërkuar përshpejtimin e zbatimit të reformave.

Gjatë takimit të parë të Komitetit Monitorues BE–Kosovë për Instrumentin për Reforma dhe Rritje, Plecity tha se tashmë është koha që institucionet e Kosovës të dyfishojnë përpjekjet për realizimin e reformave të dakorduara.

“Kosova ishte ndër vendet e para përfituese në Ballkanin Perëndimor që përgatiti një agjendë reformuese e cila u prit shumë mirë. Prandaj, tani është vërtet koha që Kosova të dyfishojë përpjekjet për zbatimin e këtyre reformave”, deklaroi ai.

Sipas zyrtarit evropian, përparimi në reformën në drejtësi, forcimi i të drejtave themelore, si dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbeten ndër prioritetet kryesore në procesin reformues të vendit.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e reformave në sektorin e energjisë, duke përmendur nevojën për miratimin e ligjeve të reja për energjinë, energjinë elektrike dhe rregullatorin e energjisë.

“Këto masa nuk janë vetëm reforma thelbësore në kuadër të agjendës reformuese, por janë gjithashtu çelësi për forcimin e sigurisë energjetike të Kosovës”, tha Plecity.

Zyrtari i Komisionit Evropian përmendi edhe mundësitë që ofron Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, përfshirë integrimin në SEPA, zgjerimin e sistemit “Roam Like at Home” dhe përfitimet nga Tregu i Përbashkët Rajonal.

Sipas tij, Kosova ka të drejtë të përfitojë deri në 880 milionë euro nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje, por qasja në këto fonde varet nga përmbushja e reformave dhe kushteve të dakorduara me Bashkimin Evropian.

“Për të qenë në gjendje t’i shfrytëzojë këto burime, Kosova duhet urgjentisht të përshpejtojë zbatimin e reformave dhe të shmangë humbjen e mbështetjes për ato hapa reformues që po i afrohen afateve të tyre”, paralajmëroi Plecity.