Kurti priti në takim lamtumirës shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano

Kurti priti në takim lamtumirës shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano

Aktuale June 17, 2026 - 13:51

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në një takim lamtumirës shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, Giovanni Pietro Barbano, të cilin e falënderoi për angazhimin dhe kontributin e tij gjatë mandatit në Kosovë.

Gjatë takimit u vlerësua roli i EULEX-it në mbështetjen e institucioneve të Republikës së Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, përfshirë monitorimin e sistemit të drejtësisë, mbështetjen e Policisë së Kosovës, Shërbimit Korrektues dhe laboratorëve forenzikë. Po ashtu, u theksua angazhimi i misionit në trajtimin e çështjeve me rëndësi të veçantë për qytetarët, si dhuna në familje, dhuna ndaj grave, mbrojtja e fëmijëve dhe të drejtat e viktimave.

Kurti ritheksoi se reforma në drejtësi mbetet prioritet qendror i mandatit të ri qeverisës, me synim rritjen e efikasitetit, pavarësisë, llogaridhënies dhe besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e digjitalizimit të sistemit të drejtësisë, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm për rritjen e transparencës, menaxhimin më të mirë të lëndëve dhe reduktimin e vonesave procedurale.

Nw njoftim tuhet se, në fund të takimit, Kurti i uroi suksese Giovanni Pietro Barbano në angazhimet e tij të ardhshme dhe shprehu gatishmërinë e Qeverisë për vazhdimin e bashkëpunimit me EULEX-in dhe udhëheqjen e re të misionit. Nga ana e tij, Barbano e falënderoi kryeministrin për bashkëpunimin gjatë mandatit të tij dhe i uroi suksese pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.

Në përmbyllje të takimit, kryeministri Kurti i dhuroi Barbanos disa botime, duke përfshirë “Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve” të Luan Tashit dhe “Ambasadorët” të Henry James, si dhe një poster me motivet e urave të paraqitura në bankënotat euro. /Zëri

Image