IKD-ja rekomandon krijimin e sistemit të unifikuar për të dhënat mbi Programin për kryerësit e dhunës ndaj grave

IKD-ja rekomandon krijimin e sistemit të unifikuar për të dhënat mbi Programin për kryerësit e dhunës ndaj grave

Aktuale June 19, 2026 - 10:58

Arrita Rezniqi, hulumtuese e lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), duke u bazuar në gjetjet e raportit të publikuar, ka rekomanduar krijimin e një sistemi të unifikuar për mbledhjen e të dhënave dhe raportimin e të dhënave mbi Programin kombëtar për kryerësit e dhunës ndaj grave në Kosovë.

Këtë deklarim Rezniqi e bëri të premten në tryezën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ku u publikua raporti titull “Zbatimi i Programit Kombëtar për Kryerësit e Dhunës ndaj Grave në Kosovë (Analizë e kornizës ligjore, praktikës gjyqësore dhe zbatimit institucional)”.

“Ministria e Drejtësisë duhet të organizojë trajnime të vazhdueshme për stafin përgjegjës përkitazi me metodologjinë e mbledhjes së të dhënave dhe rëndësinë e monitorimit dhe vlerësimit të rezultateve të punës së tyre”, u shpreh Rezniqi.

Hulumtuesja e lartë e IKD-së ka thënë se, pavarësisht sfidave, raporti identifikon edhe zhvillime inkurajuese që lidhen me sjelljet e kryerësve.

“Vlerësimet e kanë treguar se pjesëmarrësit kanë demonstruar rritje të vetëdijesimit për sjelljet e tyre, marrje më të madhe të përgjegjësisë dhe reduktim të disa formave të sjelljes abuzive. Gjë që tregon se programi ka potencial të konsiderueshëm. Megjithatë, duhet theksuar se programi nuk është alternativë ndaj ndjekjes penale. Ai nuk e zëvendëson drejtësinë penale, por e plotëson atë duke synuar uljen e rrezikut të përsëritjes së dhunës dhe rritjen e sigurisë së viktimave”, tha Rezniqi.

Rezniqi theksoi se programi nuk është alternativë ndaj ndjekjes penale. Siç tha ajo, programi nuk e zëvendëson drejtësinë penale, por e plotëson atë duke synuar uljen e rrezikut të përsëritjes së dhunës dhe rritjen e sigurisë së viktimave.

“Një mangësi shumë e rëndësishme është se perspektiva e viktimave nuk përfshihet në vlerësimin e rezultateve të Programit. Aktualisht vlerësimi mbështetet kryesisht në vetëvlerësimin e kryerësve dhe perceptimet e lehtësuesve, gjë që nuk mund të ofrojë një pasqyrë të plotë të ndikimit real të Programit. Madje, raportet e vlerësimit evidentojnë dallime të konsiderueshme ndërmjet këtyre dy burimeve lidhur me sigurinë e viktimave dhe ndikimin e Programit. Prandaj, në mungesë të perspektivës së viktimave, ekziston rreziku që rezultatet e Programit të paraqiten më pozitive sesa ndikimi real që ato kanë në sigurinë dhe mirëqenien e viktimave”, tha Rezniqi.

Sipas saj, monitorimi dhe vlerësimi i Programit duhet të përfshijë, aty ku është e mundur dhe e sigurt, edhe perspektivën e viktimave lidhur me ndryshimet e vërejtura në sjelljen e kryerësit dhe nivelin e sigurisë së tyre.

“Në fund, pra mund të themi se Kosova ka krijuar bazën e nevojshme për rehabilitimin e kryerësve të dhunës ndaj grave. Megjithatë, sfida kryesore tani është funksionalizimi i plotë i këtij mekanizmi. Kjo kërkon qasje të duhur dhe profesionale, si dhe koordinim të rregullt ndërinstitucional ndërmjet gjykatave, prokurorive, Shërbimit Sprovues, Shërbimit Korrektues, Zyrës së Koordinatorit Kombëtar dhe organizatave e institucioneve të tjera të specializuara që ofrojnë shërbime për viktimat dhe kryerësit e dhunës, mund të flasim për një qasje të plotë ndaj dhunës ndaj grave, e cila nuk fokusohet vetëm tek reagimi pas dhunës, por edhe tek parandalimi i saj në të ardhmen”, ka thënë Rezniqi.

Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK) të premten organizoi tryezë diskutimi me rastin e publikimit të raportit të ri me titull “Zbatimi i Programit Kombëtar për kryerësit e dhunës ndaj grave në Kosovë (Analizë e kornizës ligjore, praktikës gjyqësore dhe zbatimit institucional)”. /BetimipërDrejtësi