Dibra po boshatiset, veç 32 nxënës u regjistruan në gjimnaz në afatin e parë
Regjistrimi i parë për vitin shkollor 2026/2027 në gjimnazin e vetëm të qytetit të Dibrës në Maqedoni të Veriut, “28 Nëntori”, është karakterizuar nga një interesim dukshëm më i ulët krahasuar me vitet e kaluara. Nga gjithsej 238 vende të parapara për nxënësit e rinj, janë plotësuar vetëm 32.
Sipas të dhënave zyrtare nga komisioni i regjistrimit, në afatin e parë kanë aplikuar 44 nxënës që kanë përfunduar arsimin fillor, prej të cilëve 12 për paralelet në gjuhën maqedonase dhe 32 për ato në gjuhën shqipe.
Megjithatë, regjistrimin e kanë përfunduar vetëm 32 nxënës, respektivisht 7 në gjuhën maqedonase dhe 25 në gjuhën shqipe.
“Presim që në regjistrimin e dytë, i cili do të mbahet më 23 qershor, të kemi një numër më të madh të nxënësve të regjistruar”, deklaroi për MIA-n Bora Korumi, profesoreshë dhe udhëheqëse e procesit të regjistrimit në gjimnaz.
Sipas Konkursit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në gjimnazin “28 Nëntori” janë paraparë 238 vende për nxënësit e rinj në të dy gjuhët mësimore. Nga këto, 102 vende janë për tre paralele në gjuhën maqedonase, përfshirë edhe paralelen rajonale në fshatin Mogorçë, ndërsa 136 vende janë të dedikuara për katër paralele në gjuhën shqipe.
Një nga kushtet për regjistrim ishte arritja e minimumit prej 60 pikësh. Megjithatë, autoritetet arsimore presin që ky prag të ulet në afatin e dytë të regjistrimit, si dhe në afatin e gushtit, që do të mbahet më 20 gusht, me qëllim plotësimin e vendeve të mbetura bosh.
Rënia e interesimit bëhet edhe më e dukshme kur krahasohet me vitin e kaluar shkollor. Në regjistrimin e parë për vitin 2025/2026 ishin regjistruar 95 nxënës, prej të cilëve 25 në gjuhën maqedonase dhe 70 në gjuhën shqipe.
Ekspertët e arsimit dhe drejtuesit e shkollës vlerësojnë se ky trend lidhet drejtpërdrejt me uljen e numrit të nxënësve në shkollat fillore, si pasojë e migrimit të vazhdueshëm të popullsisë. Njëkohësisht, një pjesë e të rinjve po orientohen gjithnjë e më shumë drejt shkollave të mesme profesionale në qytete si Struga, Ohri, Tetova dhe Shkupi, duke ndikuar në zvogëlimin e numrit të regjistrimeve në gjimnazet tradicionale.
Megjithatë, drejtuesit e gjimnazit “28 Nëntori” mbeten optimistë se në afatet e ardhshme të regjistrimit do të ketë një interesim më të madh dhe se një pjesë e vendeve të lira do të plotësohen. /Zhurnal.mk