Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve reagon ndaj KPM-së që gjobiti mediat në Kosovë: Kjo është formë censure

Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve reagon ndaj KPM-së që gjobiti mediat në Kosovë: Kjo është formë censure

Aktuale June 22, 2026 - 14:12

Presidentja e Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, Zuliana Lainez, ka dërguar mesazh mbështetjeje për gazetarët dhe mediat në Kosovë që kanë qenë subjekt i gjobave nga Komisioni i Pavarur i Mediave.

Ajo në mesazhin e publikuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka thënë se në demokraci nuk mund të ketë censurë ndaj mediave kritike.

“Dua të konfirmoj mbështetjen e Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve për gazetarët në Kosovë dhe për organizatën tonë anëtare. Për ne, asnjë lloj rregullimi nuk duhet të cenojë rendin juridik ndërkombëtar, respektimin e lirisë së shtypit dhe vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj mediave që janë kritike, sepse kjo është një formë censure. Demokracia ka nevojë për gazetari të lirë. Solidaritet me kolegët tanë”, tha Lanez.

Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve përfaqëson rreth 600.000 profesionistë të medias nga 187 sindikata dhe shoqata në më shumë se 140 vende të botës.