Mbeturinat në liqenin e Badocit po rrezikojnë shëndetin publik

Mbeturinat në liqenin e Badocit po rrezikojnë shëndetin publik

Aktuale June 23, 2026 - 08:02

Një pjesë e digës në Liqenin e Badocit është mbushur përsëri me mbeturina, ndonëse së fundit ishte pastruar. Nga OJQ-ja “Ta pastrojmë Kosovën” thonë se duhet të merren masa më të rrepta për këta qytetar në mënyrë që të ndalohet ky fenomen.

Është nga destinacionet rekreative që vizitohet më së shumti.

Në të qytetarët e Prishtinës zgjedhin t’i kalojnë ditët e nxehta të verës.

Megjithëkëtë, të hënën, pamja e tij nuk ishte më e mira.

E gjitha kjo, vetëm një muaj pas u organizua një aksion për pastrimin e tij.

“Është diçka që e kemi prit me të thonë të drejtën, jo ndoshta në qato përmasa se me të vërtet ishte një volum i madh i mbeturinave aty. Mirëpo është vërtet shumë shqetësuese sepse rrezikohet shëndeti publik në radhë të parë duke e ditur që prej atij liqeni merr pjesë një pjesë e madhe e Prishtinës, por edhe vendet përreth aty që janë”, thotë për Teve1, Luan Hasanaj nga OJQ “Ta pastrojmë Kosovën”.

Por çfarë mund të ndalonte këtë fenomen, sipas Hasanajt.

“Gjoba është një mjet e cila kish me ndikuar jashtëzakonisht shumë në parandalimin e ndotjes. Mirëpo jo vetëm gjoba. Nevojitet edhe investime. Pra duhet të vendosen kamera nëpër ato lokacione në mënyrë që të jetë më e lehtë gjetja të cilët bëjnë ndotje. Mirëpo edhe përmasimi i infrastrukturës”, shprehet ai.

Hasanaj thotë se një aksion i dytë për pastrimin e kësaj dige planifikohet të ndërmerret brenda korrikut.

Krejt kjo në rast se institucionet nuk reagojnë.

Por, nga ujësjellësi rajonal “Prishtina” thonë se janë duke i shqyrtuar disa masa të reja.

“Gjatë këtij viti kemi organizuar dy aksione për pastrimin e Liqenit të Badocit nga mbeturinat. Megjithatë, duke pasur parasysh gjendjen aktuale, jemi duke shqyrtuar masa të reja dhe një marrëveshje për mirëmbajtjen e vazhdueshme të liqenit. Lidhur me këtë marrëveshje dhe hapat e mëtejmë, do të njoftoheni me kohë”, tha Arjeta Mjeku, zyrtare për informim në kompani.

Përveç si destinacion veror për qytetaret, nga Liqeni i Badocit furnizohet me ujë të pijshëm edhe një pjesë e madhe e kryeqytetit.