KEDS-i gjobitet edhe me 25 mijë euro për përdorim të njehsorëve me afat të skaduar të verifikimit
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Agjencia e Metrologjisë së Kosovës dhe Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ka njoftuar se ka gjobitur operatorin ekonomik KEDS me 25 mijë euro për përdorim të njehsorëve elektrikë me afat të skaduar të verifikimit metrologjik.
Sipas njoftimit, gjatë kontrolleve të fundit janë identifikuar pesë njehsorë elektrikë me afat të skaduar, çka ka çuar në shqiptimin e gjobës ndaj kompanisë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se aktivitetet e mbikëqyrjes dhe verifikimit të njehsorëve elektrikë do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të garantimit të matjes së saktë të konsumit të energjisë elektrike dhe mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve.
“Verifikimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të garantimit të matjes së saktë të konsumit të energjisë elektrike, mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve dhe respektimit të standardeve ligjore dhe metrologjike në fuqi”, thuhet në njoftim, transmeton Zeri.info.
Po ashtu, institucionet kanë theksuar se çdo njehsor elektrik në përdorim duhet të jetë i verifikuar dhe në përputhje me kërkesat ligjore, duke garantuar transparencë në procesin e matjes së energjisë.
Ndërkohë, MINTI u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo dyshim apo ankesë lidhur me funksionimin e njehsorëve elektrikë përmes kanaleve zyrtare të komunikimit./Zëri