Peja e Lipjani s’e duan Abdixhikun, i humbi tri palë zgjedhje
Tani kur është afër certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, kanë nisur kërkesat për dorëheqje për ata që konsiderohet se performuan dobët.
Disa degë të LDK-së, kanë kërkuar dorëheqjen e Abdixhikut, ky i fundit ua kthen se ndryshime duhet në udhëheqësitë e nivelit lokal.
Në mars të vitit 2021, mori timonin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kështu Lumir Abdixhiku, u bë kryetari i katërt i partisë më të vjetër në Kosovë.
Nën udhëheqjen e Abdixhikut, LDK-ja, mori pjesë në tri palë zgjedhje parlamentare.
E në të gjitha këto, ky subjekt politik u rendit si partia e tretë.
Këto rezultate, bën që brenda LDK-së, të nisin paknaqësitë.
E para që e kërkoi publikisht dorëheqjen e Abdixhikut, ishte Dega e Pejës.
“Një praktikë që duhet me vazhdu në LDK, që pas humbjes në zgjedhje, në tri palë zgjedhje, lidershipi i LDK-së, duhet me liru rrugë, me dhanë dorëheqje edhe me fillu më një frymë të re, organizim të ri. Kështu që pas këtyre diskutimeve ka ardhë edhe ai reagim, ku kemi kërku dorëheqjen e kryetarit të LDK-së në nivel qendror”, thotë Fiak Zekaj –delegat në degën e LDK-së në Pejë.
Kërkesën e njëjtë, e shfaqi edhe Dega e Lipjanit.
Por, këta të fundit, të mërkurën nuk pranuan të japin detaje më shumë.
“Kryetari i komunës, njëkohësisht kryetari i degës së LDK –së në Lipjan, gjatë ditës nuk ishte i qasshëm në telefon, e nuk ndodhej as në zyrën e tij në ndërtesën e komunës, gjatë tentativave të televizionit për të marrë qëndrim në lidhje me kërkesën që Abdixhiku të japë dorëheqje si kryetar i LDK-së”, thuhet nga kjo degë.
E për këto paknaqësi, duket se ishin të njoftuar kryesia e LDK-së.
Nënkryetari i saj, Lutfi Haziri, kërkesat i cilësoi si politike.
“Është kërkesë politike, reagimi i kryetarit është ky, ka fillu me falënderim dhe natyrisht e ka ndërtua përgjigjen e tij, të cilën do ta diskutojmë brenda strukturave. Ne kemi një qëllim të përbashkët, nuk bën me prek, qëllimin politik, pse LDK ekziston, garon, cili është misioni jonë , kjo është ajo që e kemi të përbashkët. Derisa LDK nuk kthehet parti e parë për shumë prej neve është e pa pranueshme, trendi është pozitiv. Kjo situatë nuk na ka zënë në befasi, situatat paszgjedhore, LDK është e hapur dallon prej partive tjera nuk i mban të mbyllura këto çështje edhe pse do duhej biseduar brenda”, ka thënë Haziri.
Por, më i ashpër në reagim, ishte vet kryetari, Lumir Abdixhiku.
Ky i fundit, i fajësoi dy kryetarët për rezultatin e LDK-së, në Pejë e Lipjan.
“Unë çështjen e dorëheqjes sime e kam trajtuar në Kuvendin e 31 janarit. Edhe përballë këtyre dy kryetarëve. Anëtarësia jonë, për mua, ka folur qartë. Por, për performancën e dobët në këto dy degë, rezultatin më të ulët ndër vite, pres dorëheqjet morale të dy kryetarëve në fjalë. I pranoj menjëherë”, ishte reagimi i Abdixhikut.
Ndryshe, vet Lumir Abdixhiku pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, nuk dha dorëheqje.
Ky i fundit, fatin e tij politik, e la në duart e Kuvendit të LDK-së, në të cilin e mori sërish besimin nga shumica e delegatëve. /tëvë1