Ikballe Huduti shpallet “person i padëshiruar” në Shqipëri

Ikballe Huduti shpallet “person i padëshiruar” në Shqipëri

Aktuale June 25, 2026 - 14:49

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka nxjerrë urdhrin për shpalljen “person i padëshiruar në Republikën e Shqipërisë”, për një periudhë 15-vjeçare, Ikballe Hudutin (Berisha).

Mësohet se motivi i këtij vendimi bazohet në informacionet e grumbulluara, sipas së cilave, veprimtaria e kësaj shtetaseje vlerësohet si kërcënim për vendin, sigurinë kombëtare, si dhe rendin e sigurinë publike.

Urdhri i ministrit të Brendshëm Lamallari i është dërguar për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit.

Kujtojmë që Ikballe Huduti (Berisha) njihet për lidhjet e saj me regjimin iranian të Ajatollahëve, si dhe ka bërë thirrje publike kundër rendit kushtetues në Shqipëri. Po kështu është shfaqur publikisht krah ish-presidentit të Iranit, Mahmud Ahmandinexhad.

Gjatë ditës së sotme edhe kryeministri Edi Rama pati një reagim ndaj saj lidhur me përfshirjen në protestat në Tiranë.

“Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e ‘diasporës’ së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllain e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës”, shkruante kryeministri.