Kërkuan dorëheqjen e tij, Abdixhiku u përgjigjet kryetarëve të Pejës dhe Lipjanit
Foto: Laura Hasani

Kërkuan dorëheqjen e tij, Abdixhiku u përgjigjet kryetarëve të Pejës dhe Lipjanit

Aktuale June 25, 2026 - 22:11

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj kërkesave për dorëheqjen e tij të bëra nga kryetari i Degës së LDK-së në Pejë, Gazmend Muhaxheri, dhe kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, duke i cilësuar reagimet e fundit si të pazakonshme për mënyrën se si ka funksionuar tradicionalisht partia.

Abdixhiku tha se po flet me kujdes për të ruajtur dhe, sipas tij, për ta shpëtuar LDK-në nga brenda, derisa u bëri thirrje anëtarëve të partisë të kuptojnë se çfarë po ndodh në LDK.

“Do të përpiqem të flas në këtë pjesë me kujdesin më të madh për të ruajtur LDK-në, por me vetëdijen më të lartë për të shpëtuar LDK-në nga brenda. Dhe do të përpiqem t’i flas anëtarësisë, njerëzve të LDK-së që ta kuptojnë se çfarë po ndodh në LDK dhe çfarë ka ndodhur”, tha Abdixhiku.

Ai vlerësoi se reagimet e fundit janë “atipike” për LDK-në, duke përmendur mënyrën e trajtimit të rezultatit zgjedhor dhe komunikimin publik të pakënaqësive.

“E para, duhet thënë që këto janë reagime atipike për LDK-në. Unë po e them, jo pas një rënieje me të drejtë. Sepse, e para është që atipike që degët të analizojnë rezultatin nacional pa analizuar, si të thuash, në strukturat partiake rezultatin nacional. Është atipike. Edhe mendoj struktura të partisë, na u desht kryesia qendrore nëse ka nevojë Këshilli i Përgjithshëm, e më pas kërkohet analiza e degëve për degët, kështu e ka rregullisht. Atipike për LDK-në. Mund të ketë të drejtë çfarëdo të bësh, por është atipike. Është atipike për LDK-në që komunikimi me partinë tënde të bëhet nëpërmjet rrjeteve sociale. Është atipike për LDK-në që mbledhjet thirren me njëfarë, pa pikë e pa pe”, deklaroi ai.

Abdixhiku tha se gjatë viteve ka mbështetur bashkëpartiakët e tij edhe kur, sipas tij, kanë bërë gabime politike dhe publike.

“Po jo, kanë bërë gafa, kanë bërë gafa më të mëdha në këtë studio, kanë gabuar për Millosheviqin, kanë dalë kanë folur se si i kanë thirrur njerëzit në burg, e neve na ka kushtuar. Janë votat atje në Kosovë, u desh me i mbuluar marret e tyre, s’kam asnjë fjalë të keqe, kam… kam hyrë në zjarr për ta”, tha ai.

Sipas tij, reagimet për largimin e tij nga drejtimi i partisë janë të përsëritura dhe nuk i kontribuojnë ruajtjes së unitetit në LDK.

“Ajo çfarë dua të them është kjo: për t’u pasur kujdes me ruajt partinë, për t’u pasur kujdes me ruajt partinë po duke u dashur me shpëtuar partinë, ato reagimet e para më duken bajate, me thënë të drejtën, se janë që të përsëritura”, tha Abdixhiku.