Haxhiu: Ta mbrojmë rininë nga kurthi i drogës dhe shtetin nga krimi i organizuar
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje për mobilizim të gjerë institucional dhe shoqëror në luftën kundër abuzimit me drogën dhe trafikimit të paligjshëm.
Ajo i bëri këto deklarata gjatë pjesëmarrjes në tryezën “Dita Ndërkombëtare kundër Abuzimit me Droga dhe Trafikimit të Paligjshëm”, ku theksoi se abuzimi me substancat narkotike dhe trafikimi i tyre përbëjnë një nga rreziqet më serioze për rininë dhe sigurinë shoqërore në vend.
“Për drogat dhe pasojat e tyre duhet të flasim hapur, pa paragjykime dhe pa e fshehur rrezikun. Duhet të flasim në shkolla, me prindër, me mësimdhënës dhe me vetë të rinjtë, para se problemi të shfaqet në familje si krizë”, tha Haxhiu.
Ajo theksoi nevojën për vëmendje të shtuar në shkolla, duke përmendur raportimet për prezencën dhe shitjen e substancave narkotike në afërsi të tyre.
Sipas saj, parandalimi duhet të fillojë me informim të saktë, përfshirjen e prindërve dhe trajnim të stafit arsimor. “Nëse të rinjtë dëgjojnë për drogat vetëm nga rruga apo rrjetet sociale, institucionet nuk do të mund të ndikojnë mjaftueshëm”, u shpreh ajo.
Haxhiu vlerësoi se lufta kundër drogës kërkon bashkëpunim ndërinstitucional, duke përfshirë policinë, institucionet shëndetësore dhe organizatat që merren me trajtimin e varësive.
Ajo përmendi organizatën “Labyrinth” si një nga strukturat që, sipas saj, ka luajtur rol të rëndësishëm në trajtimin e personave me varësi dhe mbështetjen e familjeve të tyre.
Duke folur për qasjen ndaj personave të varur, Haxhiu theksoi se ata nuk duhet të trajtohen si kriminelë, por si individë që kanë nevojë për trajtim dhe rehabilitim.
“Kriminel është ai që e shfrytëzon dobësinë e tyre, që i furnizon dhe i shtyn më thellë në varësi”, u shpreh ajo.

Në fund, ajo rikujtoi se Kosova tashmë ka Strategjinë Shtetërore Kundër Drogave 2024–2028, por theksoi se zbatimi i saj kërkon punë të vazhdueshme dhe koordinim institucional.
“Kjo është thirrje për më shumë përgjegjësi dhe veprim. Ta mbrojmë rininë nga kurthi i drogës dhe shoqërinë nga krimi i organizuar”, përfundoi Haxhiu. /Zëri