Supremja refuzon kërkesën për rinumërimin e votave të kandidatëve të PDK-së
Foto: Laura Hasani

Supremja refuzon kërkesën për rinumërimin e votave të kandidatëve të PDK-së

Aktuale June 26, 2026 - 17:48

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e kandidatit për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Qëndrim Kryeziu, i cili kishte kërkuar rinumërimin e plotë të votave preferenciale të kandidatëve të PDK-së në nivel vendi.

Në vendimin e saj, Supreme ka vlerësuar se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vepruar drejt kur e refuzoi ankesën e Kryeziut, pasi nuk ishin paraqitur prova të qarta dhe bindëse për shkeljet e pretenduara.

Kryeziu kishte argumentuar se procesi i rinumërimit të urdhëruar më herët nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte nxjerrë në pah pasaktësi në numërimin fillestar të votave në qendrat komunale të numërimit, duke kërkuar për këtë arsye rinumërim të plotë të votave preferenciale brenda PDK-së.

Megjithatë, Gjykata Supreme konstatoi se pretendimet e tij nuk mbështeteshin në prova të mjaftueshme dhe se nuk kishte shkelje procedurale apo gabime faktike që do të ndikonin në ligjshmërinë e procesit apo në të drejtat e ankuesit.

Për rrjedhojë, ankesa e Qëndrim Kryeziut u refuzua si e pabazuar, duke lënë në fuqi vendimin paraprak të PZAP-it.