Komuna e Pejës ndau mijëra euro subvencione për OJQ-në dhe individë pa asnjë raport financiar
Zyra Kombëtare e Auditimit ka zbuluar dobësi të reja në menaxhimin e parasë publike nga Komuna e Pejës e cila udhëhiqet nga Gazmend Muhaxhiri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, kësaj radhe në sektorin e ndarjes së subvencioneve.
Sipas gjetjeve të fundit siç raporton Insjaderi, komuna ka ndarë mijëra euro për Organizata Jo-Qeveritare (OJQ) dhe përfitues individualë pa siguruar dëshmitë dhe raportet e nevojshme ligjore se ku kanë përfunduar ato mjete.
Rregullorja Komunale e Pejës e përcakton qartë se çdo përfitues obligohet të dorëzojë raport financiar dhe përshkrues të detajuar, të shoqëruar me fatura të rregullta dhe raporte bankare.
Megjithatë, auditorët kanë identifikuar shkelje serioze në dy kategori:
Subvencionet për OJQ: Në tre (3) raste të testuara të ndarjes së fondeve për organizata, në vlerë totale prej 24,000€, mungonin plotësisht raportet e detajuara mbi përdorimin e mjeteve.
Përfituesit individualë: Në pesë (5) raste të tjera të subvencioneve për individë, në vlerë prej 16,500€, po ashtu nuk u gjetën faturat, transaksionet apo dëshmitë e tjera që parashihen me marrëveshje.
Auditori ka konstatuar se kjo situatë ka ndodhur për shkak të mosdefinimit të zyrtarëve përgjegjës nga ana e komunës për të monitoruar dhe për të kërkuar përmbushjen e kërkesave sipas marrëveshjeve të nënshkruara për subvencionim.
Mosdorëzimi i raporteve narrative dhe financiare për periudhat raportuese e bën të pamundur monitorimin dhe verifikimin nëse këto subvencione janë përdorur me të vërtetë për qëllimin që janë aprovuar, duke rritur rrezikun e keqpërdorimit të parasë publike.
Auditori i ka kërkuar Kryetarit të Komunës që, përmes drejtorive përkatëse, të kërkojë urgjentisht monitorim të rreptë dhe të sigurojë që asnjë subvencion të mos mbetet pa raport financiar dhe narrativ, në pajtueshmëri të plotë me kërkesat ligjore.
Këto gjetje janë pjesë e Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Pejës për vitin 2025, i cili ka rezultuar me gjithsej 12 rekomandime për përmirësimin e qeverisjes, ku 4 prej tyre janë rekomandime të reja, 7 janë të përsëritura nga vitet e kaluara, ndërsa një është pjesërisht i përsëritur.