Nis pranimi i mbeturinave nga qytetarët në katër deponi sanitare të KMDK-së

Nis pranimi i mbeturinave nga qytetarët në katër deponi sanitare të KMDK-së

Aktuale June 27, 2026 - 16:54

Ka nisur pranimi i mbeturinave nga qytetarët në katër deponitë sanitare të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), të vendosura në Mirash, Landovicë, Velekincë dhe Dumnicë.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, e cila theksoi se qytetarët tashmë kanë në dispozicion hapësira të ligjshme dhe të sigurta për deponimin e mbeturinave.

Sipas saj, çdo të shtunë, nga ora 08:00 deri në 16:00, qytetarët mund të dërgojnë mbeturinat në këto katër deponi, duke kontribuar në parandalimin e hedhjes së tyre në natyrë ose në deponi ilegale.

Pacolli u bëri thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit, me synimin për një Kosovë më të pastër dhe më të gjelbër.