Haradinaj: Marrëdhëniet Kosovë-SHBA nuk janë sfiduar kurrë më shumë se në vitet e fundit
Foto: Laura Hasani

Haradinaj: Marrëdhëniet Kosovë-SHBA nuk janë sfiduar kurrë më shumë se në vitet e fundit

Aktuale June 30, 2026 - 21:27

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, ka vlerësuar se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë sfiduar më shumë se kurrë gjatë viteve të fundit.

Haradinaj në Rubikon të Klan Kosovës,  tha se trajektorja e deritanishme e raportit bilateral është ndërtuar mbi bashkëpunimin e Kosovës me SHBA-në, ndërsa theksoi se tani është momenti që Kosova t’ia kthejë, siç u shpreh ajo, “borxhin moral dhe politik” aleatit të saj kryesor.

“Asnjëherë si këto vitet e fundit nuk është sfiduar transformimi normal i marrëdhënieve Kosovë-SHBA. E tërë trajektorja e këtij raporti ka qenë e tillë që shqiptarët kanë qenë bashkëpunues, ndërsa Amerika ka qenë kërkuese ndaj Kosovës. Tani, më shumë se kurrë, Kosovës i duhet t’ia kthejë atë borxh moral e politik që për këtë çerek shekulli SHBA-ja ka investuar dhe e ka ndihmuar Kosovën të jetë kjo që është”, deklaroi Haradinaj.

Ajo shtoi se debati publik në Kosovë, sipas saj, me të drejtë kërkon nga qeveria dhe institucionet që të sillen si partnere të SHBA-së dhe të mos lejojnë, siç tha, të sfidohet trajektorja normale e zhvillimit të marrëdhënieve bilaterale.

“Prandaj edhe i gjithë debati publik që zhvillohet në Kosovë me të drejtë kërkon nga qeveria dhe institucionet që të sillen si partnere të SHBA-së, ashtu siç kemi punuar tash e mbi 20 vite, dhe të mos sfidohet trajektorja normale e transformimit të marrëdhënieve bilaterale”, tha më tej Haradinaj.