Kuvendi i KMSHK-së mori vendim për 13 ankesa

Kuvendi i KMSHK-së mori vendim për 13 ankesa

Aktuale July 01, 2026 - 12:29

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) në mbledhjen e rregullt ka shqyrtuar gjithsej 13 ankesa. Anëtarët e Kuvendit të KMSHK-së kanë vendosur të miratohen pjesërisht pesë nga to, katër të refuzohen, tri ankesa të shpallen të patrajtueshme dhe një e paafatshme.

Ankesat kishin të bënin me pretendimet për shkeljen e kapitujve të caktuar të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, përkatësisht Kapitullit II - Raportimi i së vërtetës, Kapitullit IV - E drejta për t’u përgjigjur, Kapitullit V - Personat e përfshirë në incidente, aksidente, të arrestuar apo të akuzuar për vepra penale dhe Kapitullit VII - Privatësia dhe mbrojtja e burimeve.

KMSHK-ja ka miratuar pjesërisht ankesën e Vudi Xhymshitit kundër Gazetametro.net për shkrimin me titull “Vudi Xhymshiti merr dokumente të falsifikuar për të sulmuar Ambasadorin Grenell”, duke konstatuar se janë shkelur pjesërisht kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur.

KMSHK-ja ka miratuar pjesërisht ankesën e Limit Project Sh.P.K. dhe Lulzim Zaraj, përfaqësuar nga Lekë Morina kundër Voxkosova.com për shkrimin me titull “Dosja referencë: Ministria e Fitore Pacollit i jep tender 1 milion euro kompanisë që kishte mashtruar Ministrinë e Bujqësisë”, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli V i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me prezumimin e pafajësisë, por jo edhe kapitujt II dhe IV, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur, ashtu siç pretendon pala ankuese.

KMSHK-ja ka miratuar pjesërisht ankesën e Arbërie Nagavcit kundër Insajderi.org, Voxkosova.com, Gazetametro.net, Sinjali.com dhe Gazetaexpress.com për shkrimin me titull “‘Shtëpitë në zonën ku kushtojnë mbi 250 mijë euro, u ble për 150 mijë, fingo të re’ - Ish-këshilltari ngre dyshime për pazare nga Arbërie Nagavci në fund të mandatit”, përkatësisht shkrime të tjera me tituj dhe përmbajtje të ngjashme, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli IV i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me të drejtën për t’u përgjigjur, por jo edhe Kapitulli II, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës, ashtu siç pretendon pala ankuese.

KMSHK-ja ka miratuar pjesërisht ankesën e Besnik Berishës kundër Nacionale.com për shkrimin me titull “Goditja skandaloze e pushtetit për disiplinimin e mediave, KPM-ja e kapur prej VV-së dënon me mijëra euro T7 dhe Klan Kosovën”, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli IV i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me të drejtën për t’u përgjigjur, por jo edhe Kapitulli II, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës, ashtu siç pretendon pala ankuese.

KMSHK-ja ka miratuar pjesërisht ankesën e Ilirjana Çollakut-Tafës kundër Insajderi.org për shkrimin me titull “Pas raportimeve të Insajderit për mbyllje të dyshimta të rasteve, jep dorëheqjen prokurorja Ilirjana Çollaku-Tafa”, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli IV i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me të drejtën për t’u përgjigjur, por jo edhe Kapitulli II, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës, ashtu siç pretendon pala ankuese.

KMSHK-ja ka refuzuar (hedhur poshtë) ankesën e Ruzhdi Saramatit kundër “Kojshia Show” për pjesën e emisionit me titull “Trondit Dritan Goxhaj: Ky komandant i UÇK-së e mbyti ushtarin e tij para nesh. Ja kush është ai”, duke konstatuar se nuk është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës, ashtu siç pretendon pala ankuese.

KMSHK-ja ka refuzuar (hedhur poshtë) ankesën e Rilind Gërvallës kundër Veriu.info, Kosova.info, Voxkosova.com, Indeksonline.net dhe Nacionale.com për shkrimet me tituj “Vëllai i Jeta Statovcit largohet nga pozita e shefit të kameramanëve në RTK! A është hakmarrje politike?”, ”Nis hakmarrja ndaj Jeta Statovcit? Vëllai i saj largohet nga pozita e shefit të kameramanëve në RTK”, “’Kjo që ka ndodhur sot është më e rëndë se hakmarrje politike’, Jeta Statovci reagon pasi RTK-ja ia largoi vëllaun nga pozita’” dhe “Hakmarrje? Vëllai i Jeta Statovcit shkarkohet nga pozita e shefit të kameramanëve në RTK”, duke konstatuar se nuk janë shkelur kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur, ashtu siç pretendon pala ankuese.

KMSHK-ja ka refuzuar (hedhur poshtë) ankesën e Imer Abazit, përfaqësuar nga avokati Ekrem Agushi, kundër Klankosova.tv për shkrimin me titull “E tmerrshme | ‘Vdekje, plumbi’, Vjosa Osmani kërcënohet me jetë nga dy mbështetës të VV-së” dhe publikimin e fotografisë së palës ankuese, duke konstatuar se nuk janë shkelur kapitujt II dhe VII të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht privatësinë, ashtu siç pretendon pala ankuese.

KMSHK-ja ka refuzuar (hedhur poshtë) ankesën e Dylberizm, CEL Kosova dhe Institutit Sekhmet kundër Shenjester.net për publikimin e një videoje që trajton çështjen e shpenzimit të fondeve publike nga organizata të shoqërisë civile, duke konstatuar se nuk është shkelur Kapitulli II i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me raportimin e së vërtetës, ashtu siç pretendon pala ankuese.

KMSHK-ja e ka shpallur të patrajtueshme ankesën e Arbër Eminit kundër Anamorava Press, pasi që nuk ka kompetencë të trajtojë përmbajtjet e prodhuara nga faqet ose profilet në rrjete sociale.

KMSHK-ja e ka shpallur të patrajtueshme ankesën e Ago Gjolajt, përfaqësuar nga shoqëria e avokatëve ILC Law, kundër Kosova Express, pasi që nuk ka kompetencë të trajtojë përmbajtjet e prodhuara nga faqet ose profilet në rrjete sociale.

KMSHK-ja e ka shpallur të patrajtueshme ankesën e Leotrim Vojvodës kundër disa mediave, duke konstatuar se pala ankuese çëshjen e “të drejtës për të harruar” duhet ta adresojë në institucione të tjera.

KMSHK-ja e ka shpallur të paafatshme ankesën e Arbër Eminit kundër Info-plus.tv, duke konstatuar se ka kaluar afati i përcaktuar për shqyrtimin e përmbajtjeve mediale, për të cilat është parashtruar ankesë.