Bedri Hamza: Gjykata Speciale po vepron më shumë si instrument politik sesa si gjykatë e drejtësisë
Foto: Laura Hasani

Bedri Hamza: Gjykata Speciale po vepron më shumë si instrument politik sesa si gjykatë e drejtësisë

Aktuale July 01, 2026 - 20:55

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka reaguar pas shtyrjes së afatit për shpalljen e vendimit përfundimtar në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hamza ka kritikuar procesin gjyqësor, duke thënë se shtyrjet e përsëritura e kanë dëmtuar besimin në këtë institucion.

“Shtyrja e përsëritur e afatit për vendimin përfundimtar në rastin kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së vetëm sa e rikonfirmon se Gjykata Speciale në Hagë po vepron më shumë si një instrument politik sesa si një gjykatë që udhëhiqet nga parimet e drejtësisë”, ka shkruar Hamza.

Ai ka përmendur ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, ish-zëdhënësin e UÇK-së Jakup Krasniqi dhe ish-anëtarin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Rexhep Selimi, duke thënë se ata po mbahen peng nga ky proces.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po vazhdojnë të mbahen peng të këtij procesi të padrejtë dhe të pafund. Paraburgimi i stërzgjatur u është shndërruar atyre në një dënim të padrejtë dhe Gjykata Speciale, përveç se e ka humbur besimin tonë dhe e ka devijuar misionin e saj, po e thellon gjithnjë e më shumë edhe pakënaqësinë e qytetarëve në Kosovë”, është shprehur ai.

Hamza ka vlerësuar se çdo zgjatje e mëtejshme e procesit është e papranueshme, duke iu referuar datës së caktuar për shpalljen e aktgjykimit.

“Çdo ditë e një procesi të padrejtë është e papranueshme dhe 16 shtatori është datë e largët për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie”, ka shtuar Hamza.