Pacolli: Hyrjet në Aeroportin e Vlorës vazhdojnë të jenë të bllokuara, pavarësisht vendimeve të gjykatave
Behgjet Pacolli ka deklaruar se hyrjet në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës vazhdojnë të mbeten të bllokuara, pavarësisht vendimeve të formës së prerë të gjykatave, të cilat, sipas tij, kanë shfuqizuar të gjitha masat e mëparshme të sigurisë si të pabazuara në ligj.
Pacolli tha se kërkesa e tij mbetet e njëjtë: zbatimi i ligjit, respektimi i vendimeve gjyqësore dhe mbrojtja e investimit strategjik me vlerë qindra milionë euro, që sipas tij është në interes të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj.
Ai u bëri thirrje institucioneve kompetente të mundësojnë nisjen e operimit të aeroportit, në përputhje me kontratën e koncesionit dhe vendimet e gjykatave, si dhe të ndërmarrin masa ndaj personave që, sipas tij, kanë bllokuar në mënyrë të paligjshme këtë projekt dhe vazhdojnë ta pengojnë funksionalizimin e tij. /Zëri