“Prishtina Parking”: Sot ekzekutohen pjesërisht pagat, pjesa tjetër gjatë ditëve në vijim
Pas protestës së punëtorëve, ka reaguar ndërmarrja publike lokale “Prishtina Parking”.
Kjo ndërmarrje ka sqaruar çështjen e mungesës së pagave për punëtorët, për çka edhe kanë protestuar gjatë së martës.
“Pas vendimit të Gjykatës Supreme për shfuqizimin e pjesshëm të Rregullores për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve, NPL ‘Prishtina Parking’ SHA ka rifilluar operimin e saj të rregullt më 10 shtator 2025, duke vazhduar ofrimin e shërbimeve për qytetarët”, thuhet në komunikatë.
Aty thuhet se pezullimi i aktivitetit për një periudhë të caktuar ka ndikuar drejtpërdrejt në gjendjen financiare, duke shkaktuar vështirësi në realizimin e të hyrave dhe, si pasojë, krijimin e obligimeve financiare.
“Për shkak të kësaj situate, ka pasur vonesë në ekzekutimin e pagave të punëtorëve. Megjithatë, ju njoftojmë se pagat e punëtorëve të Ndërmarrjes do të ekzekutohen pjesërisht gjatë ditës së sotme. Ndërsa, pjesa e mbetur do të ekzekutohet gjatë ditëve në vijim”, thuhet tutje në komunikatë.