Konferenca e Ndërqeveritare Shqipëri-BE mbahet më 14 korrik

Konferenca e Ndërqeveritare Shqipëri-BE mbahet më 14 korrik

Aktuale July 10, 2026 - 18:48

Shqipëria do të zhvillojë më 14 korrik në Bruksel Konferencën e IX Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, ku pritet të mbyllen tre kapitujt e parë të procesit të negociatave për anëtarësim.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi këtë si një tjetër hap të rëndësishëm në rrugën europiane të vendit, duke theksuar se procesi i integrimit vijon pa ndërprerje.

Në një reagim në rrjetet sociale, Rama iu përgjigj kritikave të opozitës, por edhe protestuesve, duke thënë se Shqipëria nuk ndalet.

“Shqipëria nuk ndalet. Thanë negociatat u bllokuan; thanë Samiti i NATO-s u anulua; thanë qeveria u rrëzua; thanë ç’nuk thanë e gjë pa thënë s’do lënë, sepse puna e tyre janë llafet, ndërsa fjala jonë është puna”, shkruan Rama.

Mbyllja e tre kapitujve është një zhvillim pozitiv në ecurinë e negociatave të anëtarësimit, ndërsa qeveria ka përsëritur objektivin për të përmbyllur procesin teknik të negociatave me Bashkimin Evropian brenda vitit 2027./rtsh