Çka po e shkakton plakjen e popullsisë? Flet demografi Gollopeni
Demografi Besim Gollopeni ka thënë se Kosova po përballet me një plakje të shpejtë të popullsisë, duke e cilësuar trendin demografik si shqetësues.
Ai tha se krahasimi i të dhënave nga regjistrimet e vitit 2011 dhe 2024 tregon se mosha mesatare e popullsisë në Kosovë është rritur për rreth pesë vjet.
“Pa dyshim që ky trend demografik, i cili po e shoqëron edhe Kosovën viteve të fundit, është jashtëzakonisht shqetësues. E kam thënë disa herë nëpër forume dhe emisione të ndryshme, bazuar në të dhënat statistikore të dy regjistrimeve të fundit”.
“Nëse bëjmë një krahasim mes vitit 2011 dhe vitit 2024, shohim se mosha mesatare e popullsisë së Kosovës është rritur për pesë vjet. Ndërsa, në bazë të parashikimeve të popullsisë deri në vitin 2060, sipas ASK-së, popullsia e Kosovës do të plaket në një nivel të ngjashëm me vendet që sot kanë popullsitë më të vjetra në botë për nga mosha mesatare, si Japonia, Italia, Greqia, Gjermania dhe vende të tjera”, tha ai.
Sipas tij, faktorët kryesorë që po ndikojnë në këtë situatë janë migrimi i lartë, rënia natyrore e popullsisë dhe rritja e jetëgjatësisë.
“Sigurisht që ka disa faktorë, por ndër faktorët kryesorë do të veçoja shtimin natyror të popullsisë, lëvizjet mekanike apo migrimet e popullsisë, duke qenë se Kosova është një vend me migrim të lartë”, deklaroi Gollopeni në Klan Kosova.