Skele të pasigurta dhe hapësira të pambrojtura, ndalen punimet në një objekt në Fushë Kosovë
Inspektorati Qendror i Punës (IQP) ka ndërhyrë menjëherë pas evidentimit të rrezikut serioz në një vendpunishte ndërtimi në rrugën “Elez Berisha” në Fushë Kosovë, përballë objektit të AAB-së.
Sipas IQP-së, gjatë inspektimit në objektin në ndërtim janë identifikuar disa shkelje që rrezikonin drejtpërdrejt sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve dhe qytetarëve.
“Inspektorët kanë evidentuar mungesën e mbyllësve anësorë mbrojtës të skelave, mungesën e fiksimit (ankorimit) të skelave, si dhe hapësira të tjera të hapura në objekt, të cilat paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e punëtorëve dhe qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Qendror të Punës.
Për shkak të këtyre parregullsive, inspektorët kanë vendosur ndalimin e menjëhershëm të punimeve dhe kanë vendosur shiritin zyrtar të ndalimit në vendpunishte.
“Me qëllim të parandalimit të rrezikut, është marrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të punimeve dhe vendosjen e shiritit zyrtar të ndalimit në vendpunishte”, ka bërë të ditur IQP.
Inspektorati Qendror i Punës ka theksuar se do të vazhdojë kontrollet në terren dhe ndërmarrjen e masave ligjore ndaj subjekteve që nuk respektojnë kërkesat për siguri dhe shëndet në punë.
“Inspektorati Qendror i Punës mbetet i përkushtuar në mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës dhe do të vazhdojë të ndërmarrë masat e nevojshme ligjore ndaj çdo subjekti që nuk respekton kërkesat për siguri dhe shëndet në punë”, thuhet në njoftim.