Pesë prokurorë dhe 15 persona staf mbështetës serbë tërheqin dorëheqjet në Prokurorinë e Mitrovicës
Pesë prokurorë dhe 15 zyrtarë e staf mbështetës të komunitetit serb kanë tërhequr dorëheqjet e paralajmëruara më herët në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.
Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Arian Gashi, i cili ka bërë të ditur se institucioni ka pranuar rreth 20 njoftime për tërheqjen e dorëheqjeve.
“KPK-ja së fundi ka pranuar në vazhdimësi disa e-maile (rreth 20 sosh) dërguar në adresën zyrtare të kryesuesit të KPK-së nga prokurorë dhe staf mbështetës të komunitetit serb të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, me të cilat të njëjtit e kanë informuar kryesuesin lidhur me njoftimet e tyre për tërheqjet e dorëheqjeve të paralajmëruara më herët”, ka deklaruar Gashi.
Sipas listës së siguruar, dorëheqjet i kanë tërhequr prokurorët Jagodinka Nikoliq, Radica Miliq, Nataša Radoviq, Danijela Batkoviq dhe Bogdan Spadijer.
Ndërsa nga stafi administrativ dhe mbështetës dorëheqjet i kanë tërhequr Dejan Delibašiq, Milica Smigiq, Aleksandar Markoviq, Radica Bozoviq, Suzana Brajkoviq, Saša Trpkoviq, Dejan Hrkaloviq, Dejan Stojsavljeviq, Draginja Sofronijeviq, Aleksandar Miletiq, Petar Jeremiq, Danijela Arsiq, Biljana Peleviq, Milenko Radenkoviq dhe Gordana Mitroviq.
KPK-ja ka njoftuar se kjo çështje do të diskutohet dhe trajtohet në një nga takimet e ardhshme të Këshillit.
Sipas burimeve, dorëheqjet i kanë tërhequr edhe gjyqtarë dhe staf mbështetës të komunitetit serb brenda sistemit gjyqësor.
Dorëheqjet e punëtorëve serbë në sistemin e drejtësisë nisën në nëntor të vitit 2022, kur gjyqtarët dhe prokurorët serbë u tërhoqën nga institucionet e drejtësisë pas suspendimit të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq.
Procesi i integrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë së Kosovës kishte nisur me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe ishte konkretizuar me Marrëveshjen për Drejtësi të vitit 2015. Në vitin 2017, gjykatat në veri nisën funksionimin brenda sistemit të Kosovës, duke u mundësuar qytetarëve të të gjitha komuniteteve qasje në drejtësi.
Pas dorëheqjeve, në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) ishin dorëzuar 144 dorëheqje, prej të cilave 25 nga gjyqtarë, ndërsa në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) 33 dorëheqje, duke përfshirë 10 nga prokurorë.
KGJK-ja dhe KPK-ja nuk i kishin pranuar dorëheqjet, duke lënë të hapur mundësinë që gjyqtarët dhe prokurorët serbë të rikthehen në sistem pa pasur nevojë për procedura të reja rekrutimi.