KPK-ja njofton për takim me BE-në, EULEX-in dhe OSBE-në për rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka njoftuar se ka zhvilluar takim me përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX-it dhe OSBE-së, ku është diskutuar për rritjen e efikasitetit në trajtimin e rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë.
Sipas njoftimit të KPK-së, takimi është fokusuar në rekomandimet e dala nga monitorimi i gjykimeve në këto raste, si dhe në identifikimin e praktikave që mund të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së sistemit të drejtësisë.
Në takim janë diskutuar çështje që lidhen me produktivitetin e seancave gjyqësore, rigjykimet në rastet komplekse, cilësinë e aktakuzave, shqiptimin e dënimeve plotësuese dhe performancën institucionale.
Kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, ka falënderuar përfaqësuesit ndërkombëtarë për bashkëpunimin dhe mbështetjen ndaj sistemit prokurorial, ndërsa përfaqësuesit e BE-së, EULEX-it dhe OSBE-së kanë shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në forcimin e sundimit të ligjit.