Mërgimtarët në pritje prej orësh në kufirin Kroaci-Serbi, këshilltarja shqiptare e MPJ-së kroate tregon arsyet
Pritjet e gjata të mërgimtarëve dhe udhëtarëve në pikëkalimin kufitar Bajakovo-Lipovac, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, janë shkaktuar nga fluksi i madh i udhëtarëve gjatë sezonit turistik veror, ka deklaruar Ermina Përlaskaj, këshilltare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kroacisë.
Në një përgjigje për Telegrafin, Përlaskaj ka thënë se kjo pikë kufitare është ndër më të ngarkuarat, pasi përmes saj kalojnë një numër i madh udhëtarësh nga vendet e Ballkanit drejt Kroacisë dhe Evropës Perëndimore.“Arsyeja kryesore e kolonave të gjata në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë është kulmi i sezonit turistik veror dhe ndërrimi i turistëve gjatë fundjavës”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, pikëkalimi Bajakovë-Batrovc është veçanërisht i ngarkuar pasi për shumë udhëtarë paraqet hyrjen e parë në zonën Shengen.
“Duhet pasur parasysh se Kroacia është pjesë e zonës Shengen, që do të thotë se për shumë udhëtarë kjo pikë kufitare përfaqëson hyrjen e parë në hapësirën Shengen”, ka thënë Përlaskaj.Ajo ka shpjeguar se kontrollet e detajuara të dokumenteve dhe kushteve të hyrjes nga autoritetet kroate ndikojnë në zgjatjen e kohës së përpunimit të automjeteve.
“Kjo zgjat kohën e përpunimit të çdo automjeti dhe krijon kolona të gjata, veçanërisht gjatë fundjavave dhe muajve të verës, kur fluksi i udhëtarëve është shumë i madh”, ka shtuar ajo.
Më herët gjatë ditës, u raportua se shumë mërgimtarë nga Kosova kishin mbetur të bllokuar në këtë pikë kufitare që nga ora 02:00 e natës, duke pritur për orë të tëra për të vazhduar udhëtimin.