AKK-ja kërkon kompensimin e menjëhershëm të dëmeve nga vërshimet: Qytetarët nuk kompensohen me fotografi

AKK-ja kërkon kompensimin e menjëhershëm të dëmeve nga vërshimet: Qytetarët nuk kompensohen me fotografi

Aktuale July 21, 2026 - 19:53

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka kërkuar nga institucionet qendrore që të kompensojnë pa vonesa dëmet e shkaktuara nga vërshimet, duke theksuar se qytetarët kanë nevojë për mbështetje konkrete dhe jo për vizita simbolike.

Në një reagim, Bordi i AKK-së shprehu shqetësimin e thellë për dëmet e shkaktuara nga vërshimet e fundit në komunat e vendit, duke vlerësuar të papranueshme zvarritjen e kompensimit të dëmeve nga vërshimet e viteve të kaluara.

“Është e papranueshme që, ndërsa komunat dhe qytetarët po përballen me dëme të reja, një pjesë e madhe e dëmeve nga vërshimet e vitit 2023 dhe të janarit 2026 ende nuk janë kompensuar. Qytetarët nuk kanë nevojë për vizita dhe fotografi, por për mbështetje konkrete dhe kompensim të drejtë e të shpejtë”, thuhet në reagimin e AKK-së.

Sipas Asociacionit, komunat kanë përfunduar vlerësimin e dëmeve dhe kanë përmbushur obligimet e tyre, ndërsa tani përgjegjësia bie mbi institucionet qendrore.

“Komunat kanë përfunduar vlerësimin e dëmeve dhe kanë përmbushur obligimet e tyre. Tani është përgjegjësi e institucioneve qendrore të veprojnë pa vonesa”, thekson AKK.

Bordi i Asociacionit ka përsëritur kërkesat drejtuar Qeverisë për kompensimin e menjëhershëm të dëmeve nga vërshimet e viteve të kaluara, ndarjen e fondeve urgjente për komunat e prekura nga vërshimet e fundit, si dhe themelimin e një Fondi Emergjent për Komunat.

“Ka ardhur koha për veprime konkrete. Qytetarët nuk kompensohen me fotografi, por me vendime dhe mbështetje reale”, thotë reagimi i Asociacionit të Komunave të Kosovës.