Pas zjarrit në deponinë e mbeturinave në Sverkë të Pejës, angazhohet FSK-ja
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është angazhuar për ndërhyrje pas shpërthimit dhe përhapjes së një zjarri me përmasa të mëdha në deponinë e mbeturinave në fshatin Sverkë të Komunës së Pejës.
Sipas njoftimit të FSK-së, pas kërkesës së Qendrës së Situatave të Sekretariatit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Qendra Operative e FSK-së ka bërë vlerësimin e menjëhershëm të rrezikut dhe kapaciteteve për reagim.
Pas analizës, me urdhër të komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, në terren janë mobilizuar dhe kanë zbarkuar njësitë e specializuara të Gardës Kombëtare.
Sipas FSK-së, operacioni ka nisur me qëllim të izolimit të vatrës së zjarrit, parandalimit të ndotjes toksike të mjedisit dhe shmangies së pasojave të mundshme për shëndetin publik.
Njësitë e FSK-së po veprojnë në koordinim me autoritetet qendrore e lokale, shërbimet e emergjencave civile dhe popullatën lokale për normalizimin e situatës.
FSK-ja ka theksuar se mbetet e përkushtuar t’u shërbejë të gjithë qytetarëve të Kosovës, në përputhje me detyrat dhe misionin e saj.