Haddad: Miqësia Francë - Kosovë daton prej kohësh, do të punojmë për një vend më të sigurt
Ministri i deleguar për Evropën nga Franca, Benjamin Haddad, ka vlerësuar marrëdhëniet e miqësisë mes Francës dhe Kosovës, duke thënë se ato datojnë që nga periudha e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Pas takimit me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, Haddadi tha se Franca ka mbështetur Kosovën në momente të rëndësishme, duke përfshirë procesin e Pakos së Ahtisaarit dhe dërgimin e trupave të KFOR-it.

“Ne kemi suportuar Pakon e Ahtisaarit dhe dërgimin e trupave të KFOR-it. Jam i lumtur që kemi punuar për këtë marrëdhënie bilaterale dhe që sot jam këtu në këtë vizitë”, u shpreh Haddadi.

Ai tha se gjatë vizitës së tij të parë në Kosovë në këtë rol, ka parë praninë e kompanive franceze në vend, duke e cilësuar këtë si një dëshmi të bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Prezenca ime sot është dëshmi e miqësisë sonë me Kosovën. Do të mundohemi që së bashku të krijojmë një vend më të sigurt”, tha ministri francez.


