Eksperti i komunikacionit: Duhen më shumë masa për sigurinë në trafik
Foto: Zëri / Ilustrim

Eksperti i komunikacionit: Duhen më shumë masa për sigurinë në trafik

Aktuale July 28, 2026 - 11:11

Eksperti i komunikacionit, Lavdim Hamiti, vlerëson se përgjegjësia kryesore për uljen e numrit të aksidenteve në trafik bie mbi institucionet, teksa ka theksuar se mungojnë analizat e detajuara të rasteve dhe masat konkrete parandaluese.

Hamiti tha se megjithëse numri i përgjithshëm i aksidenteve ka shënuar rënie, 46 persona kanë humbur jetën gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, çka sipas tij tregon se situata mbetet shqetësuese.

Ai tha se institucionet nuk po merren me analizimin e shkaqeve të aksidenteve fatale për të parandaluar përsëritjen e tyre.

“Institucionet janë ato që mund me ul numrin e aksidenteve. Edhe pse ka një rënie të numrit, prap është një numër shumë i lartë. Përderisa janë 46 persona që kanë humbur jetën në aksidente, a janë marrë institucionet me një nga këto rastet si ka ardhur deri te aksidenti dhe arsyeja pse ka ardhur. Për fat të keq, nuk merren me këto çështje”, u shpreh Hamiti në RTK.

Sipas tij, ndëshkimet aktuale nuk janë të mjaftueshme nëse nuk shoqërohen me edukim të shoferëve.

Hamiti propozoi që drejtuesit të cilëve u merren pikët ose patenta të detyrohen të ndjekin trajnime të posaçme, duke marrë si shembull praktikat në disa vende evropiane.

Ai theksoi se një trajnim i tillë do të ndikonte në ngritjen e kulturës së komunikacionit dhe do të zvogëlonte rrezikun që të njëjtët shoferë të përsërisin shkeljet.

Eksperti i komunikacionit tha se një ndër faktorët kryesorë të aksidenteve mbetet moskujdesi gjatë vozitjes.

Sipas tij, përdorimi i telefonit nuk është shkaku i vetëm, pasi ka edhe shpërqendrime të tjera, si rregullimi i klimës në automjet, por edhe shpejtësia dhe moskujdesja që mund të sjellin pasoja.

“Moskujdesja është faktori kryesor për çdo aksident që ndodh. Përderisa kyçemi me një rrugë dytësore dhe nuk e përcjellim anën e majtë apo këndin e vdekur vjen deri te aksidenti”, deklaroi ai.

Hamiti vlerësoi se institucionet duhet të reagojnë menjëherë në vendet ku aksidentet përsëriten, duke përmirësuar infrastrukturën, sinjalizimin ose duke vendosur semaforë dhe masa të tjera sipas nevojës.

Ai përmendi si shembull një rrethrrotullim në Prishtinë, për të cilin tha se pas ndërtimit të tij kanë filluar aksidente të vazhdueshme.

“E kemi një rrethrrotullim në 'Rrugën B' për në Matiçan. Nga ai moment që është vendosur rrethrrotullimi veç kanë filluar aksidentet. Deri në atë moment nuk ka pasur aksidente sepse ka qenë 900 metra rrethi prej rrethit tjetër. Është vendosur rrethrrotullimi për interesa të personave të ndryshëm për shkak të lokaleve dhe nga ai moment kemi aksidente të vazhdueshme”, tha ai.

Duke folur për gjendjen e infrastrukturës, ai u shpreh se problemet më të mëdha janë në rrugët magjistrale dhe rajonale, veçanërisht në nyjat kyçëse, ku sipas tij ndodh pjesa më e madhe e aksidenteve me pasoja të rënda.

Hamiti tha se autoshkollat i përgatisin kandidatët sipas programeve të përcaktuara, por problemi, sipas tij, shfaqet më vonë, kur shoferët nuk i rifreskojnë njohuritë dhe zakonet e drejtimit për shumë vite.

Ai propozoi që edhe shoferët me përvojë të gjatë t’i nënshtrohen trajnimeve periodike, duke argumentuar se komunikacioni dhe infrastruktura kanë ndryshuar ndjeshëm ndër vite.

Duke komentuar rritjen e aksidenteve ku përfshihen motoçikletat, biçikletat dhe trotinetët elektrikë, Hamiti tha se infrastruktura për këta pjesëmarrës në komunikacion mbetet e pamjaftueshme. Ai vlerësoi se mungesa e shtigjeve të vazhdueshme për biçikleta dhe trotinetë i detyron ata të lëvizin në rrugët e automjeteve ose në trotuare, duke rritur rrezikun për aksidente. Sipas tij, është e nevojshme zgjerimi i rrjetit të korsive të dedikuara dhe krijimi i kushteve më të sigurta për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

Në fund, ai theksoi se shoferët në Kosovë kanë aftësi të mira drejtimi, por shpesh nuk respektojnë rregullat.

“Nuk është që jemi shoferë të këqij, jemi të gjindshëm. Nuk është që nuk dimë, por vetëm që nuk duam dhe nuk i respektojmë rregullat. Në përgjithësi jemi shoferë të mirë”, tha Hamiti, duke shtuar se respektimi i rregullave duhet të mbështetet me masa institucionale dhe edukim të vazhdueshëm.