Haxhiu takon përfaqësuesit e Shoqatës së Ish të Burgosurve Politikë, premton mbështetje për ruajtjen e kujtesës historike
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Ish të Burgosurve Politikë të Kosovës.
"Gjatë takimit u diskutua për veprimtarinë e shoqatës në ruajtjen e kujtesës historike, si dhe për rëndësinë e dokumentimit të dhunës dhe torturave që regjimi i Serbisë ushtroi ndaj mijëra të burgosurve shqiptarë gjatë dekadave të rezistencës për liri", thuhet në njoftim.
Në takim u bisedua edhe për sfidat me të cilat përballet shoqata, ndërsa ushtruesja e detyrës së Presidentes i siguroi përfaqësuesit e saj se, brenda kompetencave të Presidencës, do të jetë pranë nismave për dokumentimin dhe ruajtjen e kujtesës historike.
Tutje thuhet se me këtë rast ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, shprehu vlerësimin e saj të thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të ish të burgosurve politikë në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.