Sëmundja e lisë së dhenve dhe dhive, AUV-i me thirrje për fermerët
Në Kosovë tashmë janë konfirmuar rastet e para të sëmundjes Lija e Dhenve dhe dhive (Sheep and Goat Pox) në komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtërpcë dhe Viti.
Duke e parë këtë situatë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) u ka bërë thirrje të të gjithë fermerëve të deleve dhe dhive që të rrisin vigjilencën dhe të zbatojnë me përpikëri masat e biosigurisë për të parandaluar përhapjen e sëmundjes, shkruan Zeri.info.
“Bashkëpunimi i fermerëve është vendimtar për të parandaluar përhapjen e sëmundjes dhe për të mbrojtur tufat në të gjithë vendin. Lija e dhenve dhe lija e dhive nuk është sëmundje që transmetohet te njerëzit, nuk paraqet rrezik për shëndetin publik. Është sëmundje e karakterit ekonomik e cila shkakton humbje për ekonominë e fermerëve dhe të shtetit”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë i AUV-it, pa ndërhyrje:
Thirrje për fermerët mbajtës të deleve/dhive
Pas konfirmimit të disa rasteve të sëmundjes Lija e Dhenve dhe Dhive (Sheep and Goat Pox) në komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtërpcë dhe Viti. Rrezikut të përhapjes së mëtutjeshme të kësaj sëmundje, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë u bën thirrje të gjithë fermerëve të deleve dhe dhive që të rrisin vigjilencën dhe të zbatojnë me përpikëri masat e biosigurisë për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.
Bazuar në situatën e krijuar, ju lutemi të zbatoni këto masa:
• Mos lëvizni delet dhe dhitë nga ferma pa autorizimin e veterinerit zyrtar.
• Kufizoni hyrjen e personave dhe automjeteve të paautorizuara në fermë.
• Shmangni kontaktin e kafshëve tuaja me tufat e fermave të tjera.
• Pastroni dhe dezinfektoni rregullisht objektet, pajisjet dhe mjetet e transportit.
• Çdo kafshë e sapoblerë të mbahet e ndarë nga tufa për një periudhë vëzhgimi.
• Kontrolloni çdo ditë gjendjen shëndetësore të kafshëve.
Nëse vëreni shenja klinike si:
• Temperaturë të lartë,
• Puçrra ose plagë në lëkurë, gojë, hundë ose gjinj,
• Rrjedhje nga sytë ose hunda,
• Mungesë oreksi, dobësi ose ngordhje;
Njoftoni menjëherë veterinerin privat ose inspektorët e AUV-it. Mos tentoni t'i trajtoni ose t'i lëvizni kafshët e dyshuara.
Bashkëpunimi i fermerëve është vendimtar për të parandaluar përhapjen e sëmundjes dhe për të mbrojtur tufat në të gjithë vendin.
Lija e dhenve dhe lija e dhive nuk është sëmundje që transmetohet te njerëzit, nuk paraqet rrezik për shëndetin publik. Është sëmundje e karakterit ekonomik e cila shkakton humbje për ekonominë e fermerëve dhe të shtetit. /Zëri