Ish-prokurori Blakaj: 10 vjet më parë patëm kryer gërmime në Zveçan, ishte atmosferë tensioni
Foto: Zëri

Ish-prokurori Blakaj: 10 vjet më parë patëm kryer gërmime në Zveçan, ishte atmosferë tensioni

Aktuale July 29, 2026 - 08:51

Ish-prokurori i Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj, ka bërë të ditur se 10 vjet më parë, me një grup bashkëpunëtorësh nga IML-ja dhe hetues të krimeve të luftës, kishin kryer gërmime për gjetjen e mbetjeve mortore në Mala Jabuka të Zveçanit.

Duke iu referuar nisjes së gërmimeve të djeshme në Zubin-Potok, Blakaj thotë se pikërisht mbetjet mortore të 23 intelektualëve mitrovicas ishin kërkuar edhe në gërmimet e 4 gushtit të 2016-s.

Atmosferën e asaj kohe, Blakaj e përshkruan si “tension”.

“Është tepër e rëndësishme që hetimi përkatësisht për këtë rast por edhe për rastet tjera, të materializohet dhe të konfirmohet me aktakuzë, sepse kjo është mënyra më e mirë për ta dëshmuar qëllimin e aparatit shtetëror serb për ta zhdukur popullatën civile shqiptare!”, thotë Blakaj.

Sipas tij, përgjigjja më e mirë ndaj propagandës serbe është puna e përbashkët për të pasur rezultate që përfundojnë me aktgjykime dënuese.

Postimi i plotë i Blakajt, pa ndërhyrje:

Me datën 4 gusht 2016, si prokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, së bashku me një grup bashkëpunëtorësh nga IMLëja, tre hetues të krimeve të luftës, një përfaqësues të Komisionit Qeveritar dhe dy përfaqësues të kompanisë “Loti”, në një atmosferë tensioni në pjesën veriore, saktësisht në fshatin “Mala Jabuka” në Zveçan, kishim kryer gërmime për gjetjen e mbetjeve mortore të 23 intelektualëve të zhdukur më datë 19 prill 1999....!

Pas disa përpjekjeve ndër vite, më datë 28 korrik 2026 pas gërmimeve të kryera në Zubin Potok, janë gjetur mbetje mortore, të cilat dyshohen se mund të jenë të 23 intelektualëve të Mitrovicës, të vrarë gjatë kohës së luftës në vitin 1999. Është tepër e rëndësishme që hetimi përkatësisht për këtë rast por edhe për rastet tjera, të materializohet dhe të konfirmohet me aktakuzë, sepse kjo është mënyra më e mirë për ta dëshmuar qëllimin e aparatit shtetëror serb për ta zhdukur popullatën civile shqiptare!

Përgjigjja më e mirë ndaj propagandës serbe, e cila ka fshehur gjurmët e krimeve të luftës, si dhe vazhdimisht ka strehuar dhe mbrojtur të dyshuar dhe të dënuar për krime të luftës, është puna e përbashkët dhe përkrahja e të gjitha institucioneve ligjzbatuese, në mënyrë që të kemi rezultate që përfundojnë me aktgjykime dënuese. /Zëri