Haxhiu: As Vuçiqi, as Bërnabiqi nuk mund ta zhbëjnë realitetin e Kosovës
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve serbë, Aleksandar Vuçiq dhe Ana Bërnabiq, duke i cilësuar ato si vazhdimësi të gjuhës së mohimit, urrejtjes dhe propagandës mbi të cilën, sipas saj, u ndërtua politika shoviniste dhe ekspansioniste e regjimit të Slobodan Millosheviqit.
Në reagimin e saj, Haxhiu thekson se, derisa qytetarët e Kosovës ende presin zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, Serbia vazhdon të mohojë shtetësinë e Kosovës dhe të ripërtërijë pretendimet territoriale ndaj saj.
“Serbia nuk mund të pretendojë se është e përkushtuar ndaj paqes dhe normalizimit, ndërsa nuk hap arkivat për personat e zhdukur, nuk bashkëpunon për zbardhjen e krimeve të luftës dhe vazhdon ta trajtojë Kosovën si territor të vetin”, thuhet në reagim.
Sipas Haxhiut, përballja me të kaluarën dhe respektimi i sovranitetit të shteteve fqinje janë kushte themelore për paqe të qëndrueshme në rajon.
Haxhiu rikujton se Republika e Kosovës është shtet i pavarur që nga 17 shkurti 2008 dhe se, në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Ajo shton se Kosova është njohur nga 121 shtete, është anëtare e dhjetëra organizatave dhe mekanizmave ndërkombëtarë dhe vazhdon ta forcojë pozitën e saj ndërkombëtare.
“Ky realitet nuk zhbëhet me deklarata politike”, theksohet në reagim.