Haradinaj kujton dëshmorët e familjes Markalleshi

Haradinaj kujton dëshmorët e familjes Markalleshi

Aktuale August 07, 2026 - 10:17

Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar sot familjen Markalleshi nga Vraniqi i Gjakovës, duke vlerësuar sakrificën e saj në luftën për lirinë e Kosovës.

Haradinaj, përmes një postimi në rrjetin social, tha se familja Markalleshi qëndroi e patrembur përballë çdo armiku dhe ishte gjithmonë në ballë të betejave për çlirimin e atdheut.

Ai kujtoi se kjo familje i dha Kosovës katër dëshmorë; Markun, Kolën, Prendin dhe Memën, duke veçuar 7 gushtin 1998 si ditën kur, në përballje me forcat armike, ranë heroikisht Mark dhe Kolë Lleshi, ndërsa idealin e tyre e vazhduan Prendi dhe Mema.

Haradinaj përmendi gjithashtu kontributin e Gegës, Tomës dhe Nikës, të cilët, sipas tij, qëndruan në vijën e parë të shumë betejave të luftës çlirimtare dhe nuk u tërhoqën asnjëherë nga rruga e tyre.

“Lavdi e përjetshme dëshmorëve të familjes Markalleshi!”, përfundoi Haradinaj në mesazhin e tij përkujtimor.